Arbëri

Mungojnë 11 veteranët e UÇK-së, dështon seanca për protestën e vitit 2015

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca e katër ndaj Xhevdet Qeriqit dhe 10 veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për organizimin e një proteste në gusht të vitit 2015.

11 veteranët akuzohen se në protestën e 7 gushtit të vitit 2015 dëmtuan rrethojat e objektit të Qeverisë dhe një veturë.

Njëmbëdhjetë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nuk kanë marrë pjesë në seancën për organizimin e protestës së 7 gushtit të vitit 2015.

Në këtë protestë ishin dëmtuar rrethojat e objektit të Qeverisë dhe një veturë.

Se nuk ka kushte për mbajtjen e seancën ka njoftuar gjyqtarja Luljeta Krasniq. Sipas saj, seanca shtyhet për një afat të pacaktuar.

“Meqë nuk ka kushte për mbajtjen e seancës, gjykata merr aktvendim që seanca të shtyhet në afat të pacaktuar deri sa të sigurohet prova lidhur me pronarin e veturës dhe dëmin e caktuar ndaj kësaj veture”, ka thënë ajo.