Arbëri

Të mërkurën vaksinohen të moshuarit në shtëpitë e kujdesit, punëtorët socialë e pacientët në dializë

Të mërkurën do të fillojë vaksinimi i të moshuarve në shtëpitë e kujdesit dhe punëtorët socialë që kujdesen për ta, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

“Komiteti për vaksinim kundër COVID-19 njofton se gjatë ditës së nesërme, e mërkurë, 14 prill 2021 procesi i vaksinimit kundër COVID-19 do të vazhdojë me vaksinimin e të moshuarve të vendosur në shtëpitë e kujdesit për të moshuar dhe punëtorët socialë që kujdesen për ta, në komunat ku ka Qendra të këtilla: Prishtinë, Suharekë, Skënderaj, Istog dhe Graçanicë”, thuhet në njoftim.

MSH-ja njoftoi edhe se të mërkurën do të vaksinohet edhe pacientët në dializë.

“Gjithashtu, gjatë ditës së nesërme (14 prill 2021), do të vaksinohen edhe pacientët në dializë, ata të Komunës së Prishtinës në qendrën “1 Tetori”, kurse të tjerët, secili në njësinë e vaksinimit të QKMF-së në komunën ku jeton”, thuhet në njoftim.

Vaksinimi bëhet nga ora 08:00-19:30.