2 perditesime
23:17

Pupovci: Mësimdhënësit duhet të jenë prioritet për vaksinim

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se mësimdhënësit duhet të bëjnë pjesë në kategorinë e prioritetit për vaksinim.

Pupovci në Interaktiv të KTV-së u shpreh se edhe vendet fqinje i kanë vendosur mësimdhënësit në listën e prioritetit për vaksinim.

“Për periudhën 15 mars – 2 prill, kemi pasur 523 mësimdhënës të infektuar nga 23.765 gjithsej. Ndërkohë, në këtë periudhë, janë infektuar 712 nxënës. Kjo i bie që ka pasur më shumë të infektuar mësimdhënës sesa nxënës, ndoshta sepse te nxënësit ka pasur më pak testime. Mësimdhënësit duhet të kenë prioritet në vaksinim, pasi janë në një ambient ku ka lëvizshmëri të shumë njerëzve. Kështu nuk e them unë, por është në të gjithë botën. Tani kemi një rast ku shumica e mësimdhënësve e kanë kaluar COVID-19, dhe nuk e kanë prioritet vaksinimin, por kategoria tjetër, ata që nuk e kanë kaluar, duhet të vaksinohen. Shpresoj që kjo do të ndodhë sa më shpejtë. Edhe shtetet fqinje i kanë vendosur me prioritet vaksinimin e mësimdhënësve”, deklaroi ai.

 


Pupovci flet për pikën kryesore të programit qeverisës në arsim

Zv.ministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka folur edhe për programin qeverisës në arsim dhe normalizimin e situatës nëpër shkolla si pikë kryesore.

Pupovci në një intervistë në Interaktiv, tha se normalizimi i situatës pas COVID-19 imponohet si pikë kryesore e Ministrisë së Arsimit.

“Si një pikë qëndrore na imponohet normalizimi i situatës pas COVID-19. Ne po presim që tani me vaksinimin e popullsisë do të fitohet njëfarë imuniteti kolektiv deri në fund të vitit dhe do të vije deri te një normailizim i situatës kur fëmijët do të kthehen në shkolla dhe në po bëjmë përgatitjet për këtë. Por siç thash, ne po bëjmë përgatitjet edhe për një skenar të paparashikueshëm kur ku e di unë që mund të paraqiten variante të virusit që mund të jenë rezistent ndaj vaksinave dhe të na përsëritet numri i madh i infeksioneve përkundër faktit që kemi vaksina”, ka thënë Pupovci.

23:12

Pupovci paralajmëron mësim plotësues

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se sot askush nuk e vë në dyshim humbjen mësimore për shkak të mësimit online si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Ai në një intervistë në Interaktiv, ka thënë se Ministria e Arsimit po shikohet mundësia që kjo humbje të kompensohet me mësim plotësues.

“Një vlerësim i bërë nga Banka Botërore, tregon se nxënësit që kanë ndjekur online mësimin prej 16 marsit deri në qershor 2020, kanë humbur 25 për qind ose 9 pikë të Pisas, kurse ata që nuk e kanë përcjell kanë humbur 40 për qind ose 16 pikë të Pisas. Kjo humbje mësimore deri diku mund të plotësohet me mësim plotësues dhe ne jemi duke bërë përgatitje në bashkëpunim me komunat për organizmin e formave të ndryshme të mësimit plotësues, qoftë gjatë vitit shkollor, e në situata të caktuara edhe gjatë verës. Jemi duke folur për mësim me prezencë fizike”, ka thënë Pupovci.

Sipas tij, MSH-ja po bën përgatitjet që nëse situata nuk ndryshon, atëherë viti i ri shkollor të presë nxënësit dhe mësimdhënësit më shumë se kurrë të përgatitur për mësim online.

 

23:05

Pupovci: Nuk jemi të pëgatitur për mësim online

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se Kosova nuk ka qenë e përgatitur për mësim online, që erdhi si pasojë e shfaqjes së pandemisë.

Pupovci në Interaktiv të KTV-së për këtë ia la fajin qeverive të kaluara, pasi sipas tij, nuk ka pasur mjete të duhura për mësim online. Mirëpo, sipas Pupofcit, ky ka qenë problem ndërkombëtar.

“Pandemia na ka zënë ta papërgatitur. Shkolla janë krijuar për prezencë fizike, dhe jo për online. Të gjitha këto që janë bërë me mësim online, janë bërë që të kompensohen humbjet për nxënësit. Këto thuhen edhe në dokumentet ndërkombëtare. Mësimi online nuk mund ta zëvendësojë mësimin fizik. Do të ishte mrekulli që shteti t’ia plotësonte çdo nevojë fëmijëve për mësim online gjatë kësaj kohe. Paramendoni, vitin e kaluar nuk kemi pas asnjë platformë, kurse tani kemi disa. Kemi shkolla që i janë përshtatur aplikacioneve, si Zoom, Google Meet. Këtu ka shumë probleme, por tani është koha për adresimin e tyre, që të mundësojmë që vitin e ardhshëm të jemi gati me këto platforme. Do të bëjmë gjithçka që nga vjeshta të jemi gati për mësim online, nëse pandemia vijon të jetë e pranishme”, ka thënë ai.