Arbëri

Çështja kryesore e politikës së jashtme konsiderohet dialogu me Serbinë

Descriptive Text

Qeveria e cila është proces të hartimit të programit, nuk e ka zbardhur ende qasjen në raport me dialogun me Serbinë. Derisa në programin prej 52 faqesh të Lëvizjes Vetëvendosje nuk ishte përmendur fare dialogu me shtetin serb, referuar programit të Qeverisë Kurti 1, ishte thënë se angazhimi do të jetë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut dhe në frymën e parimit të reciprocitetit. Analistët shohin pengesa në arritjen e një marrëveshjeje finale për njohjen reciproke

Dialogu me Serbinë është çështja kryesore e politikës së jashtme që i përshkruhet Qeverisë Kurti.

Pak ditë pas vendosjes në krye të ekzekutivit, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështjes të Sigurisë, Joseph Borrell, i ka kërkuar kryeministrit të vazhdojë sa më shpejt dialogun me Serbinë, teksa këtë e ka ndërlidhur me perspektivën evropiane të vendit.

Qeveria që aktualisht është në proces të hartimit të programit, nuk e ka zbardhur ende qasjen që do ta ketë në raport me dialogun.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se veprimet kryesore të qeverisë për katër vjetët e ardhshëm do të përcaktohen në Programin e Qeverisë dhe Planin e Veprimit.

“Për hartimin e tyre kërkohet koordinim dhe diskutim më të gjitha ministritë dhe ne tashmë jemi drejt finalizimit të këtyre dokumenteve”, ka thënë ai.

Njohësi i çështjes së Ballkanit, Bodo Weber, pret shtim të presionit nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për rinisje të negociatave dhe arritjen e një marrëveshjeje finale.

për një marrëveshje finale gjithmonë ka qenë çështje specifike jo vetëm për politikën e jashtme se çfarë prioriteti i jep qeveria, por edhe për atë të brendshme, kur dihet se në të kaluarën ka qenë subjekt i diskutimit edhe territori dhe sovraniteti i Kosovës. Sidoqoftë, edhe pse qeveria për arsye të mira do të ballafaqohet me prioritete tjera sikurse është menaxhimi i pandemisë dhe pavarësisht deklaratave të Kurtit se nuk e ka prioritet, mendoj se dialogu do të jetë top-prioritet për shkak të presionit nga SHBA-të dhe BE-ja”, ka theksuar Weber.

Ai ka shtuar se pengesat në arritjen e marrëveshjes mund të vijnë nga perëndimi, për shkak të humbjes së besueshmërisë shkaku i diskutimeve për kufijtë.

“Për të pasur rivendosje të negociatave nuk mjafton ta kemi Borrellin, Lajçakun apo Palmerin nga SHBA-ja në proces, por duhen politika të qarta, ku bashkë BE-ja dhe SHBA-ja i shmangin diskutimet për kufijtë dhe japin sinjal të qartë se zgjerimi drejt vendeve të Ballkanit nuk do të ndalet. Pra, pengesat nuk i shoh te kompromisi dhe zgjidhja eventuale mes Kosovës dhe Serbisë, por te besueshmëria në proces për shkak të dëmtimit të tij nga aktorët perëndimorë tre apo katër vjetët e fundit”, ka shtuar ai.

Sipas tij, shumica prej ndërkombëtarëve, ka pasur frikë se idetë dhe opsionet për shkëmbime janë mbështetur nga ish-zyrtarë amerikanë dhe ish-ndërmjetësuesja e dialogut, Mogherini.

“Arritja e një marrëveshjeje është mundësi që nuk duhet të humbet dhe në këtë kuptim shenjat e para nga administrata aktuale e SHBA-së janë inkurajuese dhe shpresëdhënëse se do të lëvizet shpejt drejt rivendosjes së negociatave. Kjo nënkupton që presidenti Biden dhe kancelarja Merkel duhet t’i vendosin parimet e një kornizë të qartë negociuese ku njohja e ndërsjellë ndodhë në fund të procesit”.

Analisti gjerman thotë se nëse Serbia e synon integrimin në BE-së ashtu siç e proklamon, duhet ta pranojë realitetin se çështja e statusit të Kosovës është mbyllur dhe të shikohen mundësitë se si të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve.

Në programin prej 52 faqesh, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka përmendur fare dialogu me shtetin serb.

Referuar programit të Qeverisë Kurti 1, te pjesa e dialogut ishte thënë se angazhimi do të jetë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut dhe në frymën e parimit të reciprocitetit.

Zyrtarë të qeverisë as tani nuk e kanë përjashtuar mundësinë e vendosjes së kësaj mase, e cila pati çuar në përplasje të mëdha me ish-administratën e presidentit amerikan Donald Trump.

LDK-ja kishte iniciuar mocionin për rrëzimin e qeverisë, me arsyen se po rrezikohen marrëdhëniet me SHBA-në.

Temat e dialogut

E çështjet të cilat qeveria zotohej t’i negocionte janë të pagjeturit, reparacionet e luftës, suksedimit të ish-Federatës Jugosllave në të cilën Kosova ishte element konstituiv, si dhe për njohje të ndërsjellë midis shteteve.

Mbështetur në programin e qeverisë Kurti 1, temë e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jenë çështje që lidhen me integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit, me rregullimin dhe funksionalitetin e brendshëm të vendit.

Po ashtu është përjashtuar krijimi i një pushteti të tretë administrativ për vendbanime me popullsi të veçanta etnike është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Megjithëkëtë, çështja e cila mund ta zbehë entuziazmin e palëve për një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse është Asociacioni i Komunave Serbe, kundër të cilit është Lëvizja Vetëvendosje.

Themelimi i këtij mekanizmi vazhdon të jetë edhe kërkesë e Bashkimit Evropian, duke rikujtuar se Kosova ka marrë obligime në marrëveshjen e prillit të vitit 2013, si dhe marrëveshjen e parimeve të Asociacionit më 2015. Por, Gjykata Kushtetuese pati konstatuar shkelje në të shtatë kapitujt e asaj marrëveshje, duke kërkuar që përmirësimet e nevojshme të bëhen me rastin e draftimit të statutit.

Duke iu përgjigjur deklaratës së Bashkimit Evropian, ku është ritheksuar se Kosova duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë më herët se mund të ketë asociacion të komunave të Bjeshkës së Rugovës apo maleve të Sharrit, por jo asociacion një etnik.

Qeveria pati paraparë edhe një rishikim të plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani, me qëllim të analizimit të shkallës së zbatimit të tyre nga ana e Serbisë, dhe siç thuhej, në bashkëpunim me BE-në, të shtrohen këto çështje në tavolinën e dialogut. Parashihej edhe miratimi i një platforme për dialog dhe e njëjta të miratohet në Kuvendin e Kosovës, me synim arritjen e 2/3 të votave, e cila do të përfshijë parimet, në bazë të të cilave duhet të zhvillohet dialogu.

Gjatë javës, presidentja Vjosa Osmani, e ka siguruar ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, se do të angazhohet që të krijojë një platformë të mirëfilltë të dialogut me gjithë spektrin politik, duke cekur se theks të veçantë do t’u japë konsultimeve me opozitën si dhe përfshirjen e saj në mënyrë aktive në çështje të interesit të veçantë për vendin.

Nëpërmjet Aktgjykimit nr.KO43/19, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se kryeministri i vendit është ai që udhëheq me dialogun, duke u këshilluar edhe me presidenten.

Borrell kërkon rinisjen e negociatave

Ende nuk dihet se kur do të rinisin takimet e nivelit të lartë. Por në letrën e tij dërguar Kurtit, Borrell ka thënë se me dëshirë do t’i ftojë për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të dialogut sa më shpejt të jetë e mundur dhe se qëndron fort i vendosur për të ndihmuar të dy palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke adresuar të gjitha çështjet e pazgjidhura, është thelbësore për rrugën përkatëse evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe për qytetarët tuaj. Kjo është gjithashtu thelbësore për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal”, i ka shkruar Borrell Kurtit.

Sipas tij, kthimi i perspektivës evropiane të Kosovës në një realitet për qytetarët e saj gjithashtu kërkon një vazhdim të shpejtë të dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja dhe normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë.

Rreziku që Kosovës t’i imponohet një zgjidhje e dëmshme në negociata me Serbinë, po konsiderohet i tejkaluar pas rikthimit të partneritet BE-SHBA në këtë proces. Ky bashkëpunim u konfirmua gjatë vizitës së emisarit të Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në një intervistë ekskluzive të përbashkët dhënë KOHËS, i dërguari i BE-së dhe zëvendësndihmësi i sekretarit të shtetit, Matthew Palmer, konfirmuan se Brukseli dhe Washingtoni punojnë së bashku për arritjen e një marrëveshjeje finale. Për SHBA-në marrëveshja nënkupton njohjen e ndërsjellë, ndërsa për BE-në hapjen e rrugës së anëtarësimit të Kosovës.