Gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj ka thënë në emisionin “Desku” në KTV se gjendja epidemiologjike në Kosovë nuk është aspak e mirë dhe se Qeveria e re, ajo Kurti, nuk ka sjellë ndryshime në përballjen me COVID-19.
Sipas Ramajt, ekziston përshtypja se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, po e menaxhon shëndetësinë aty ku e pati lënë.
“Është një përshtypje që Vitia po e menaxhon shëndetësinë aty ku e ka lënë në qershor të vitit 2020, duket se ende nuk është adaptuar me situatën e re. Nuk kemi parë shumë ndryshime në kuptimin e organizimit me përballje. Vetëm masat kufizuese nuk janë përballje, pasi pacientët në spital kanë mungesë të barnave. Vitia po fol vetëm për vaksinat që janë pjesë e programit të COVAX-it ndërsa pritjet dhe premtimet kanë qenë që deri në verë të vaksinohen 60% e qytetarëve”, ka thënë Ramaj.
Ndërkaq, gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se ministri i ri i Shëndetësisë ia ka hedhur fajin paraardhësit të tij lidhur me sigurimin e vaksinave.
“Ministri Vitia tha që do të kemi problem të madh me lidhjen e kontratave pasi paraardhësit e tyre nuk kanë arritur t’i bëjnë ato. Ministri i mëhershëm dilte dhe përpiqej të na demantonte se gjoja ka kontrata të tilla dhe e vërteta është që ato kanë munguar”, ka thënë Krasniqi.