1 perditesime
Arbëri

Zyba i përgjigjet Haradinajt: Jam takuar për kafe me një deputete të AAK-së, por s’kam bërë presion

Zyba i përgjigjet Haradinajt: Jam takuar për kafe me një deputete të AAK-së, por s’kam bërë presion
Foto: Driton Paqarada / KOHA
13:45

Zyba i përgjigjet Haradinajt: Jam takuar për kafe me një deputete të AAK-së, por s’kam bërë presion

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba i është kundërpërgjigjur deklaratave të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj i cili e quajti sekser duke e akuzuar për trafikim të votave.

Ai në një përgjigje për KOHËN ka pranuar se është takuar me njërën nga deputetet e AAK-së, Albana Bytyqin, por ka mohuar se i ka bërë presion për të votuar.

Ai ka thënë se me deputeten në fjalë ka pirë kafe në një lokal dhe se e njëjta ka pasur bindje që të votojë, porse e ka respektuar qëndrimin e partisë.

“Unë meqenëse jam i Therandës dhe dy deputete të AAK-së janë nga Theranda, njëra prej deputeteve është motra e një anëtari të Kryesisë së degës së VV-së ku kryetar jam unë. Një ditë kemi pirë kafe me deputeten Albana Bytyqi-Kuqi por nuk ka pas as joshje as asgjë përveç diskutim për rrjedhat aktuale politike. Mendoj që gjatë diskutimit e kam kuptuar që e njëjta ka bindje që duhet të votojë për e ka respektuar qëndrim e partisë, të cilin e respektoj edhe unë”, ka thënë ai.

Ai tutje duke komentuar deklaratat e Haradinajt ka thënë se një pjesë e konsiderueshme e ish-pushtetarëve me përvojat e tyre mendojnë se mund të etiketojnë e shantazhojnë deputetët.

“Sa i përket deklaratës së Haradinajt më vjen keq për nivelin që ka rënë ai dhe një pjesë konsiderueshme e ish-pushtetarëve dhe me përvojat e hidhura të tyre mendojnë të etiketojnë dhe apo shantazhojnë deputetë dhe zyrtarë të tjerë. Praktika e blerjes së votave i takon së kaluarës dhe ndoshta përfshirë edhe vetë Haradinajn për jo mua personalisht dhe as subjektit që i takoj. Është angazhim im i plotë për të dhënë kontributin në Kuvend”, ka thënë ai.

13:25

Haradinaj akuzon Zybën: Është sekseri i VV-së për trafikimin e votave

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, se kishte joshur deputetë për të votuar për Vjosa Osmanin për presidente.

Ai ka thënë se Zyba është sekse i partisë për trafikim të votave.

“Zyba ka kontaktuar me deputetë tanë. Njëri nga deputetët tonë ka kërkuar që unë me u taku me të. Përgjigja ka qenë që ‘ju jeni sekser dhe s’takohem me ju, por jam i gatshëm të takohem me kryetarin e partisë. Por ndalni këto praktika të presionit, presion serioz i gjithanshëm, pos joshjes’. Zyba është një sekser klasik i cili e ka marrë përsipër në emër të partisë së vet trafikimin e votave”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media të mërkurën.

Të dielën, Vjosa Osmani u bë presidente me 71 vota nga 82 sa votuan në rundin e tretë të votimit për presidente. Pos deputetëve të VV-së dhe 12 të LDK-së, në kuorum morën pjesë deputetë të minoriteteve, por edhe Albena Reshitaj e AAK-së dhe deputetja Adelina Grainca që nga PDK-ja kaloi në VV në momentet e votimit.

Për deputeten Reshitaj, Haradinaj ka thënë se “edhe ajo ishte pjesë e procesit të trafikimit të votave”, teksa ka shtuar se s’ka ndonjë vendim në parti për të.