Arbëri

Ministrin Aliu e denoncoi biznesmeni që ia shiti pronat Thaçit e Pajazitit

Rreth 5 minuta ka zgjatur seanca e parë gjyqësore në rastin ku për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar është i akuzuar ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Liburn Aliu.

Në mungesë të njërit prej të të akuzuarve seanca është shtyrë për datën 30 të këtij muaji.

Aliu para mediave nuk ka pranuar të deklarohet.

“Do të deklarohem me 30 prill”, tha ai.

Aktakuza ndaj Aliut dhe disa zyrtarëve të Komunës së Prishtinës ka të bëjë me mos dhënien e lejeve për ndërtime të shtëpive private në pjesën e njohur si “Prishtina e Re”

Për të parë nga afër seancën ishte njëri prej personave që pretendon së është dëmtuar nga ky proces.

Biznesmeni Dan Imeri është një nga personat që kanë aplikuar për leje ndërtimi, por nuk i ishte lejuar. Ai i vetëm kishte bërë kallëzim penal ndaj Aliut e të tjerëve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e cila më vonë u ngrit si aktakuzë.

Siç merr vesh televizioni, Imeri ka pasur në të kaluarën raporte kontraktuale me politikanët e pozitës së dikurshme.

Ish-presidenti i Kosovës e ish-kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi, e ka blerë parcelën ku e ka të ndërtuar shtëpinë pikërisht nga Imeri.

Ai përmes telefonit ka konfirmuar një gjë të tillë. Ka thënë se pikërisht për shkak të raportit me ish-presidentin Thaçi ka pasur hakmarrje ndaj tij.

“Jo nuk kam pasë. Me thënë realitetin, e gjithë kjo që ardhur, ja kam pa sherrin atë që e ka ble Hashimi, dhe e gjitha kjo ka ardhur. Jam viktimë e politikës”, tha përmes telefonit, Dan Imeri, biznesmen.

E blerës tjetër i një parcele të tij është edhe ish-ministri nga radhët e PDK-së, Zenun Pajaziti. Ai thotë së vetëm Thaçi e Pajaziti kanë blerë parcela nga ai.

“Zenuni edhe Hashimi kanë qenë nga PDK-ja. Krejt tjerët janë qytetarë, profesorë doktorë. Ti po i përmend Hashimin e Zenunin po këqyri tjerët kush janë”, shtoi Imeri.

Aktakuza është ngritur në korrikun e vitit 2020, por të akuzuarit nuk ishin njoftuar derisa kjo informatë para dy javësh ishte bërë publike në media.

Kjo aktakuzë e ngarkon Aliun me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Në këtë aktakuzë krahas Liburn Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, po akuzohen edhe: Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi.