Arbëri

Qehaja: Mësimdhënësit, pa fajin e tyre, janë të papërgatitur për mësim online

Rinor Qehaja vlerëson se në bazë të një hulumtimi që është kryer nga instituti EdGuard, mësimi online është thuajse i dështuar.

Ai në Express intervistën ë KTV, tha se mësimdhënësit, pa fajin e tyre, janë të papërgatitur për mësim online.

E keqja bëhet më e madhe, pasi sipas tij, shteti ka investuar me miliona euro në digjitalizim të shkollave dhe trajnim të mësimdhënësve, por as njëra e as tjetra nuk po kryejnë punë tash, kur duhet ta dëshmojnë në kohë pandemie.

Ai tha se hulumtimi është bërë për gjysmë-vjetorin e parë të këtij viti shkollor, pra nga shtatori i vitit 2020 deri në dhjetor.

“Hulumtimi është bërë në fundvit dhe ka vlerësuar periudhën e gjysmë-vjetorit të parë, nga 14 shtatori e tutje dha ka vënë në pah shumë të meta, na ka bërë më dije pamundësinë dhe efektet shumë të vogla karshi prezencës fizike të nxënësve”, ka thënë Qehaja.

Hulumtimi ka treguar se mbi 90 për qind e nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve kanë shfaqur dëshirën për vijim të procesit arsimor në objekte shkollore.

“Veçanërisht nxënësit kanë shfaqur një vullnet për thim në shkolla. Mësimi online pati një kureshtje në muajin e parë, në marsin e vitit të shkuar, më pas është vërejtur një mospërkushtim i vet nxënësve për mësimin online. Mësimdhënësve u mungojnë kapacitetet për përdorim të teknologjisë informative, jo për përdorim mekanik, por për atë metodologjik si pjesë e një mësimdhënie cilësore, jo me faj të tyre. Politika e qeveritë kanë investuar miliona për digjitalizim në shkolla, miliona në trajnim të mësimdhënësve, po të njëjtit kur u desh të shfaqin këto kompetenca, e kishin të pamundur, pasi kjo kompetencë nuk është ndërtuar te ta. Është investuar në platforma e kanë përfituar kontraktorët, bizneset, jo mësimdhënësit. Nëse e sheh buxhetin vërehet një investim, por realiteti është ndryshe”, ka vlerësuar ai.

Ai ka folur edhe për mungesën e pajisjeve te nxënësit dhe qasjen në internet. Po ashtu ka kritikuar Inspektoratin Arsimor, duke e quajtur skajshmërisht të politizuar dhe jo profesional.

“Inspektorati arsimor është për keqardhje, nuk kanë kapacitet. Nuk mundet më të vlerësu kur ata vet mungojnë. Ka shumë shkelje, shumë shantazhe, korrupsion. Politizim i skajshëm dhe e vë në pikëpyetje të skajshme, s’ka kapacitete, etike e morale për të vlerësuar mësimdhënësit tanë”, ka thënë Qehaja.

Ai ka komentuar edhe vendimin e fundit të Qeverisë për të mbyllur shkollat për disa ditë. Sipas tij, është dëshmuar kudo në botë se shkollat nuk paraqesin rrezik për infektim me koronavirus dhe se dëmi është më i madh nëse nuk shkohet në shkolla sesa nëse ndokush preket me COVID-19.

“Pasojat mund të shihen qysh tash”, ka thënë ai, duke iu referuar hulumtimit të institutit EdGuard.