VV-ja i bindet LDK-së, tërheq kërkesën për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje

VV-ja i bindet LDK-së, tërheq kërkesën për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje
Vetëvendosje është tërhequr nga kërkesa e saj për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje për t’i hapur rrugë prezencës së deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të bërë kuorumin për zgjedhjen e presidentit.
Ky veprim vjen pas ultimatumit që LDK-ja i kishte vënë VV-së në mënyrë që të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e Osmanit presidente.
Lajmi është konfirmuar edhe nga ushtruesja e detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari. Ajo ka thënë se tërheqja është bërë siç ka kërkuar LDK-ja.
VV-ja kërkon garanci nga LDK-ja për presidentin që të tërheqë ndryshimet në Ligjin për Zgjedhje
Mimoza Kusari-Lila, ushtruese e detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ka konfirmuar se i ka kërkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës garanci për votat për presidentin në mënyrë që të tërhiqen ndryshimet e propozuara nga Ligji për Zgjedhje.
“Unë kam kërkuar nga Arben Gashi se a mund ai të konfirmojë se LDK-ja do të jetë në seancë për të votuar për presidenten e Republikës së Kosovës gjë të cilën ai refuzoi ta thotë në mbledhjen e Kryesisë”, ka thënë Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë në të cilën u caktua që seanca për zgjedhjen e presidentit të mbahet me fillim prej orës 18:00.
Komplikohet edhe një herë çështja e zgjedhjes së presidentit
Është komplikuar edhe një herë çështja e zgjedhjes së presidentit. Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se s’do të marrë pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentit pa u bërë tërheqja procedurale e propozimeve për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje.
Në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pasi ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria Kurti ende s’kanë tërhequr projektligjin për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje dhe se situata për çështjen e presidentit mbetet e njëjta si ajo të premten pas dështimit që këto ndryshime të kalojnë me procedurë të shpejtë.
“Kemi një situatë të tentimit të përmbytjes së rendit kushtetues në Kosovë. Një shumicë parlamentare tenton në mënyrë arbitrare të ndryshojë rregullat në procesin zgjedhore. Ne jemi pro që ambasadave dhe konsullatave të Kosovës t’u mundësohet organizimi i zgjedhjeve dhe ata që janë me vendbanim të përhershëm ose të përkohshëm jashtë vendit, të votojnë. Por nuk jemi që në mënyrë arbitrare dhe në ora 9 të natës të caktohet që ditën e nesërme të mblidhen të gjitha komisionet dhe të kryhet Projektligji për Zgjedhje. Duhet automatikisht të tërhiqet ky Projektligj dhe të jepet garancion që do të kemi reformë zgjedhore substanciale. Ne si LDK presim që të tërhiqet ai projektligj, të kemi reformë substanciale sepse nuk ka emergjencë. Ai ligj nuk ndikon tek zgjedhjet lokale. Nëse dëshirojmë të ndryshojmë rregullat në zgjedhjet e përgjithshme ato duhet të ndryshohen të paktën një vit para se të mbahen zgjedhjet. Ne duam garanci që kjo do të ndalojë. Ne nuk do të marrim pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit. Nuk e dimë se kur do të mbahet, atë e vendos kryetari i Kryesisë”, ka thënë Gashi.
Pa votat e LDK-së, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.
Për të njëjtën çështje reagime kundër kanë pasur edhe partitë tjera opozitare, PDK-ja e AAK-ja. Të dyja kanë fajësuar Qeverinë Kurti nëse vendi shkon në zgjedhje të reja.
Të premten, VV-ja dhe Qeveria Kurti iniciuan ndryshimet në Ligjin për Zgjedhje. Pasi kjo iniciativë dështoi që të vazhdonte në procedurë të përshpejtuar, nga LDK-ja kërkuan që të tërhiqet ky ligj përndryshe s’do të marrin pjesë në votim. Të shtunën në mesditë pas një takimi të kryeparlamentarit Glauk Konjufca me kryeministrin dhe pretenduesen për presidente, u vendos që për të vazhduar tutje me këto ndryshime të ketë bashkëpunim me opozitën e iu kërkua opozitës qëndrimi në sallë për të shmangur zgjedhjet e reja.
Vetëvendosje si e vetme ka 58 vota. Duke përllogaritur edhe disa vota të minoriteteve pakicë jo serbe, për ta zgjedhur Osmanin i duhen patjetër edhe votat e LDK-së në mënyrë që të arrihet kuorumi i obligueshëm prej 80 votash për zgjedhjen e presidentit. Në dy rundet e votimit për presidentin kërkohet përkrahja e 2/3 e deputetëve, ndërsa në rundin e tretë kërkohen minimalisht 61 vota por me kushtin që në votim të marrin pjesë së paku 80 deputetë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Moti në Kosovë

Sijarina: Po tentojmë ta rrënojmë mendësinë që po rezulton e dhunshme

Gërvalla kërkon anëtarësim të shpejtë të Kosovës në Këshill të Evropës

Ajri i pashëndetshëm në Prishtinë, IKSHPK-ja me thirrje për qytetarët që të mos dalin në qytet

Townsend: Ballkani të mos mbetet larg vëmendjes së SHBA-së dhe BE-së

Vrasjet brutale të grave në Ballkan ngrenë alarm për lëshimet në sistem

Gjinovci për rezultatin në “PISA 2022”: Qeveria duhej të mbante mbledhje urgjente

Osmani: Në COP28 u prezantua vizioni i Kosovës përmes projekteve inovative

Batalioni italian nga Forca Rezervë e NATO-s vendoset në Kosovë

Koci: Kushdo që e përmend Kanunin, duhet të procedohet penalisht

Kosova rrezikon anëtarësimin në KiE nëse nuk i adreson gjetjet e raportit
