1 perditesime
Arbëri

LDK-ja e quan shantazh ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet

LDK-ja e quan shantazh ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet
Foto: Alban Bujari/KOHA
17:38

LDK-ja e quan shantazh ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet

Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron të ngushtëm vendimin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, marrë parasysh faktin që Kosova, siç thuhet në një reagim, sapo ka kaluar këtë proces dhe sapo ka konstituuar legjislaturën e re.

LDK-ja thotë se vlerëson lartë konributin e mërgimtarëve në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës dhe beson se secili qytetar i saj, kudo që është, duhet ta ketë të drejtën për të zgjedhur dhe për të votuar.

“Prandaj, një e drejtë e tillë, dhe një ligj kaq i rëndësishëm, nuk guxon të shndërrohet në mjet shantazhi politik të brendshëm. LDK e vlerëson të ngutshëm dhe shantazhues veprimin e sotëm për ta sjellë në votim pa një dakordim paraprak, pa në diskutim adekuat dhe pa një debat të gjerë, njërin ndër ligjet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës. Përpjekja për procedim të jashtëzakonshëm të Ligjit të Zgjedhjeve, në seanca të jashtëzakonshme dhe atë para formimit të institucioneve, nuk është as nismë me substancë e as nismë qëllim-mirë; por, është shantazh i pushtetit. Është shantazh mbi arrogancën e numrave, në vend të stabilitetit politik, i cili i kontribuon tërësisht mosbesimit, sjelljes jokorrekte dhe jostabilitetit”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas këtij subjekti politik, pushteti i sapoardhur, do të duhej që gjithë energjinë e vet ta drejtojë tek zgjerimi i koncensusit, sidomos kur një koncensus i tillë ishte i mundshëm.

“Në vend të adresimit të problemeve jetike për vendin tonë, në vend të menaxhimit të pandemisë e vaksinimit të popullsisë, në vend të stabilitetit politik kaq të domosdoshëm, pushteti po kërkon rrugën më të rëndë të vendit”, përfundon reagimi.

16:56

AAK-ja del kundër ndryshimit “me nguti” të Ligjit për Zgjedhje

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë kundër ndryshimit të Ligjit për Zgjedhje, të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Të premten, Kryesia e Kuvendit vendosi të kërkojë nga Qeveria të paraqesë mendimin lidhur me nismën legjislative për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme në Kosovë dhe të përgatisë deklaratën e ndikimit buxhetor dhe atë për përafrim me legjislacionin e BE-së për këtë projektligj. E gjithë kjo u iniciua nga VV-ja, në ditën kur pritej që të mbahej seanca parlamentare për zgjedhjen e presidentit.

Me ndryshimet, parashihet që diasporës t’i mundësohet votimi në ambasada dhe konsullata në shtetet ku jetojnë.

“Sapo u informuam se në mbledhjen e kryesisë pa prezencën e shefave të grupeve parlamentare është marrë vendim që në seancën e orës 17:00 të bëhet amendamentimi i Ligjit për Zgjedhje. Është e papranueshme që në rrethana kur ky ligj absolutisht nuk është prioritet, të ballafaqohet me ndryshim të tillë. Kjo e vërteton arrogancën e numrave. A nuk kemi prioritete të tjera? A nuk e kemi prioritet sjelljen e vaksinave? AAK-ja e kundërshton me ngulm dhe mendojmë që Ligji për Zgjedhjet me u sjellë me kaq nguti e konfirmon një qasje totalitare e dominuese”, ka thënë Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, në një konferencë për media

Ai ka thënë se AAK-ja nuk i nënshtrohet “asnjë shantazhi”.

“Nuk ka asnjë logjikë, as demokratike e as procedurale, që të sillet një ligj për ndryshim pa ndonjë konsultim. Qëllimi është që të kontrabandohet një ligj i tillë”, ka thënë tutje ai.