Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Këta janë personat që do të vaksinohen në fazën e parë të vaksinimit në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë ka paraparë vaksinimin e qytetarëve të Kosovës kundër COVID-19 në tri faza.

Vaksina e parë që pritet të arrijë sonte pas orës 20:00 në Kosovë është ajo e “AstraZenecas” nga skema COVAX.

Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar në shkurt Planin e ri shtetëror për vaksinim kundër COVID-19 në Kosovë.

Sipas këtij plani të miratuar më 18 shkurt të këtij viti dhe i cili nuk ka ndryshuar, në fazën e parë pritet që të vaksinohet 3 për qind e popullatës për të vazhduar me fazën e dytë për 17 për qind e në atë të tretën 50 për qind.

“Sipas planit të pasqyruar në këtë dokument (Plani Shtetëror i Vaksinimit), futja në përdorim e vaksinës kundër COVID-19 do të bëhet gjate tri fazave. Në fazën e parë të futjes në përdorim të vaksinës, 3 % e popullsisë (apo 54,000 punëtorë shëndetësorë dhe të moshuar) do të vaksinohen. Në fazën e dytë – pjesa tjetër e popullsisë prej 17 % (306,000 qytetarë) do të vaksinohen”, shkruhet në plan.

Edhe Kosova pa vaksinë nxjerr plan për vaksinim të 70 për qind të popullsisë Arbëri Kosova pa vaksinë nxjerr plan për vaksinim të 70 për qind të popullsisë

Tutje aty thuhet se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet barazisë në shpërndarje të tyre. Kësisoj, rreth 11 mijë doza vaksinash do t’u dedikohen 5400 punonjësve shëndetësorë dhe të moshuarve (nga 10 për qind e popullsisë që vaksinohet në fazën e parë) në dhjetë komuna me shumicë serbe. “Strategjia e shpërndarjes së vaksinave në këto komuna është e njëjtë me komunat e tjera”, shkruhet më tutje.

Sipas këtij dokumenti 70 faqesh gjatë fazës së parë dhe të dytë do të përdoren vaksinat që do të vijnë nga skema COVAX e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e në fazën e tretë planifikohen ato të kompanisë “Pfizer”.

Në raportin e aprovuar nga MSH-ja janë paraqitur edhe kategoritë që pritet të vaksinohen kundër COVID-19, ku në të parën janë personeli mjekësor, banorët e shtëpive të të moshuarve, personat me sëmundje kronike dhe ata mbi 80 vjeç.

E në fazën e dytë prioritet u është dhënë mësimdhënësve e pjesëtarëve të forcave të sigurisë të përfshirë në menaxhimin e pandemisë. Pra, sipas këtij plani synohet vaksinimi i 70 për qind e popullsisë, apo 1 milion e 260 mijë persona.

Zyra e kryeministrit të Kosovës ka bërë të ditur se sot në ora 20:15 kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të marrin pjesë në ceremoninë e pranimit të kontingjentit të parë të vaksinave kundër COVID-19.

Ky kontingjent është mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX.

Ceremonia e pranimit të vaksinave mbahet në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari", (para terminalit VIP), me fillim nga ora 20:15.

Edhe Mbërrijnë dozat e para të vaksinave të blera nga Qeveria Arbëri Mbërrijnë dozat e para të vaksinave të blera nga Qeveria

KOHA kishte mësuar se bëhet fjalë për rreth 24.000 doza të vaksinës së “AstraZenecas”, që vijnë përmes programit “COVAX”.