Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të nisë puna për projektligjin për vetting në sistemin e drejtësisë dhe për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.
Duke uruar Blerim Sallahun për postin e zëvendësministrit, Haxhiu ka thënë se “së bashku do të vazhdojmë të punojmë në jetësimin e zotimeve tona”.
“Shumë shpejt nisim punën me grupet punuese lidhur me projektligjin për veting, konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme, Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe shumë çështje të tjera! Kosova do të bëhet shtet i së drejtës!” ka shkruar ajo në Facebook.
Drejtësia ka qenë premtimi kryesor që ka dhënë Lëvizja Vetëvendosje në fushatën e zgjedhjeve të 14 shkurtit.