1 perditesime
11:31

Kurti: Seanca për presidentin thirret pas zëvendësimit të deputetëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sot është përvjetori i Epopesë së Dukagjinit dhe bombardimeve të NATO-s dhe pas homazheve në Prekaz edhe Deçan, po bëjnë homazhe te varr i ish-presidentit Rugova.

Ai ka thënë se e çmojnë rolin dhe kontributin e ndërkombëtarizimit të Kosovës të Rugovës, që sipas tij ishte i rëndësishëm në ndërhyrjen e NATO-s.

“Ne do të vazhdojmë edhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi. Në këtë mënyrë e përkujtojmë se prej nga vijmë dhe të sigurt ecim përpara. Dy hapa të rëndësishëm janë mbyllur, zgjedhje e kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit. Ka mbetur edhe zgjedhja e presidentes edhe kjo do të kurorëzohet me sukses. Sapo të zëvendësohen deputetët ne do të thërrasim një seancë të radhës që atë që e votoi populli me mbi 300 mijë vota do ta marrë postin e presidentit”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se materialin e pranuar nga Qeveria e kaluar do të shqyrtohet.

Homazhe kanë bërë edhe te varri i veprimtari Adem Demaçi. Kurti ka thënë se kontributi i tij do të mësohet e kultivohet ndër brezat e veprimtarëve në brezat e ri.

09:20

Kurti: Rikthehemi në Prekaz për të kuptuar nga vijmë e për të ditur kah duhet të shkojmë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kabinetin qeveritar, kanë nisur detyrën me një vizitë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Pas homazheve te Jasharët, Kurti u shpreh se si kabinet e kanë vizituar Prekazin “për të kuptuar nga vijmë dhe për të ditur më mirë se kah duhet të shkojmë”.

Në 22-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s, Kurti para mediave u shpreh se tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe, e që rënia heroike e tyre ngriti në këmbë popullin shqiptar dhe i dha hov Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare.

“Dje pranuam detyrën si qeveri e re e cila u votua në Kuvendin e Republikës së Kosovës të hënën mbrëma pasi që doli nga zgjedhjet e 14 shkurtit dhe sot në ditën e parë të punës me zëvendëskryeministrat, ministrat erdhëm herët në mëngjes në Prekaz në këtë vend të flijimit e bashkimit ku tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe mirëpo rënia e tyre heroike e ngriti në këmbë popullin shqiptar i dha hov Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare e cila me 24 mars 1999 dërgoi aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit kundër një shteti gjenocidal siç ishte Serbia e Millosheviqit”, ka deklaruar Kurti. “Ne i kujtojmë me shumë dhimbje e mall, Shaban, Hamëz e Adem Jasharin dhe gjithë 59 anëtarët e kësaj familje, gjysma e të cilëve ishin gra dhe fëmijë. Drejtësia për këtë krim të Serbisë nuk është vënë në vend ashtu sikurse edhe për shumë dëshmorë e martirë të tjerë ane mbanë Kosovës. Gjaku i tyre nuk humbet kurrë, emri i tyre nuk harrohet kurrë dhe ne kthemi e rikthehemi këtu në Prekaz për ta kuptuar se nga vijmë dhe për ta ditur më mirë se kah duhet të shkojmë. Lavdi Jasharave dhe gjithë dëshmorëve e martirëve”.

Kurti ishte në Prekaz edhe të martën, pak pasi mori detyrën e kryeministrit.