Arbëri

Gashi thotë se është mundshme që Aliu të mos ketë qenë në dijeni për aktakuzën

Leotrim Gashi nga IKD-ja thotë se është e mundshme që ministri i ri i Mjedisit, Planifikit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, të mos ketë qenë në dijeni se ndaj tij është ngritur një aktakuzë.

Aliu sot ka thënë se nuk ka pranuar zyrtarisht një aktakuzë, por Prokuroria Themelore e Prishtinës ka mohuar duke thënë se ai ka qenë në dijeni për këtë.

“Është e mundshme të ndodh një situatë e tillë. Nuk është rasti i parë kur një zyrtar i institucioneve publike informohet nga mediat se ndaj tij është ngritur një aktakuzë e caktuar. Siç ka ndodhur edhe në të kaluarën edhe sot, ministri i ri thotë se e ka kuptuar nga ana e mediave se ndaj tij është ngritur një aktakuzë para disa muajve. Një çasje të tillë të Prokurorisë ne si IKD e kemi kritikuar vazhdimisht. I pandehuri duhet të dijë nëse akuzohet për ndonjë vepër penale, pavarësisht se cila është ajo, e kjo me qëllim që ai të përgatitet për mbrojtjen që duhet ta bëjë para gjykate. Si prokuroria ashtu edhe mbrojtja janë të barabarta para gjykatës”, ka thënë Gashi në Interaktiv të KTV-së.