Arbëri

Komunat nuk po përmbushin obligimin për njoftimin e konsultimeve publike

Descriptive Text

Pavarësisht se ekzekutivi i komunës është i obliguar që në çdo proces të konsultimit publik të organizojë konsultime me shkrim, të publikojë njoftimet për konsultime publike dhe që të mbajë të paktën një dëgjim publik, një gjë e tillë nuk po ndodh.

Vetëm katër komuna kanë mbajtur të paktën një takim publik gjatë procesit të draftimit të kornizës afatmesme buxhetore. IKD dhe INPO në nëntë komuna kanë monitoruar procesin e planifikimit buxhetor komunat për vitin 2021.

Problematike mbetet edhe pjesëmarrja e qytetarëve, ku në nëntë komuna të monitoruara janë evidentuar tri dëgjime buxhetore në të cilat nuk ka marrë pjesë asnjë qytetar.

Instituti i Kosovës për drejtësi në bashkëpunim me organizatën Iniciativa për Progres kanë publikuar raportin “Planifikimi i Buxhetit Komunal për vitin 2021”.

Hulumtuesi nga IKD, Gëzim Shala tha se në nëntë komuna është monitoruar procesi i planifikimit buxhetor komunal për vitin 2021 dhe përfshirjen e qytetarëve në këtë proces. Ai shtoi se theks i veçantë i është kushtuar përfshirjes së qytetarëve në këto procese.

Ai ka bërë të ditur që këto nëntë komuna nuk kanë zbatuar formën e komunikimit në draftimin e kornizës afatmesme.

“Sa i përket obligimit për të publikuar draft-dokumentin dhe për të njoftuar për konsultimet publike, këtë obligim e ka përmbushur vetëm dy prej këtyre nëntë komunave të monitoruara. Sa i përket mbajtjes së dëgjimeve publike me qytetarët për draftimin e këtij dokumenti, IKD dhe INPO kanë gjetur se vetëm katër prej këtyre komunave kanë organizuar të paktën një takim publik, ndërsa këtë nuk e kanë bërë pesë komuna të tjera. Krahas kornizën afatmesme buxhetore sa i përket dëgjimeve buxhetore në rastin e hartimit të buxhetit për vitin 2021, prapë problematike mbetet çështja e konsultimeve me shkrim. Për arsye se nga nëntë komunat e monitoruara ka qenë vetëm një komunë që ka zhvilluar këtë formë të komunikimit publik”, tha ai.

Krahas monitorimit të nëntë komunave, është vërejtur se vetëm një komunë ka përmbushur obligimin për publikimin e dokumentit dhe njoftimin për konsultim publik.

Ndërsa, Arrita Rezniqi nga Iniciativa për Progres ka vënë theksin në pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në dëgjimet publik. Ka shtuar se struktura gjinore e pjesëmarrësve nuk është e balancuar, meqë gjashtëfish më shumë ka burra se gra pjesëmarrëse në këto dëgjime publike.

“Prej nëntë komunave të monitoruara kemi evidentuar tri dëgjime buxhetore në të cilat nuk ka marrë pjesë asnjë qytetar. Dhe këtu duket që informimi jo i mjaftueshëm i publikut për të drejta, mundësi dhe rëndësinë e pjesëmarrjes në fazën e buxhetimit është edhe një prej arsyeve kryesore të kësaj pjesëmarrje të ulët të qytetarëve në këto dëgjime buxhetore. Ne në këtë raport e kemi adresuar këtë çështje duke kërkuar që të trajtohet në mënyrë institucionale dhe strategjike, dhe të informohet publiku mbi të drejtat, rëndësinë dhe mundësinë për pjesëmarrje”, tha Rezniqi.

Më tej, Rezniqi tha se në Prishtinë ka qenë numri më i vogël i qytetarëve pjesëmarrës, ku kanë qenë pesë dëgjime buxhetore të organizuara me tre pjesëmarrës. E komuna më pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në dëgjime buxhetore ka qenë ajo e Deçanit.

“Kemi parë një disbalancë të aspekteve buxhetore, për shkak se struktura gjinore e pjesëmarrësve në dëgjimet buxhetore, identifikohet në formën ku shumica dërmuese është burra dhe një numër i kufizuar janë gra. Nga të gjithë pjesëmarrësit në dëgjime buxhetore, numri i pjesëmarrësve burra është mbi gjashtëfish më i lartë se i atyre gra. Përkatësisht, në të gjitha dëgjimet publike buxhetore 428 pjesëmarrës kanë qenë burra, ndërsa vetëm 70 kanë qenë gra”, tha Rezniqi.

Në këtë raport janë monitoruar komuna e Prishtinës, Vushtrrisë, Pejës, Deçanit, Hani i Elezit, Kaçaniku, Gjakova, Rahoveci dhe Juniku.

IKD dhe INPO kanë kërkuar nga institucionet që të organizohen të paktën një dëgjim buxhetore dhe që të ketë përfshirje në të gjitha fshatrat. Po ashtu, që të ketë edhe balancim gjinor të përfshirjes së tyre në këto dëgjime.