Arbëri

Vrasja e Agonis Tetajt: Avokati i familjes Gogaj shihet në kafiteri me prokurorin e këtij rasti, Agron Uka

Sot familja e të ndjerit Agonis Tetaj ka kërkuar të ndërpritet aktgjykimi e të përjashtohet prokurori i rastit Agron Uka. Agonis Tetaj ishte qëlluar me armë për vdekje nga Shaban Gogaj në shtator të vitit 2018. 

Prokuroria në Pejë në fjalën përfundimtare e kishte rikualifikuar veprën penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Babai i Agonisit, Isuf Tetaj, ka publikuar edhe videon ku shihet Shaban Gogaj duke e qëllua me armë për vdekje Agonisin.

Disa orë pas publikimit të asaj video, KOHA ka siguruar një foto ku shihet avokati i familjes Gogaj, Besnik Berisha ulur në një kafiteri me prokurorin e rastit Agron Uka.

Berisha në një postim në Facebook pak orë më parë ka shkruar se vrasja e Tetajt ishte “vetëm aksident tragjik e assesi vrasje me paramendim”.

Babai i Agonis Tetajt, Isufi, me një letër të hapur i është drejtuar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, duke ia sqaruar rrethanat e vrasjes së djalit të tij në vendin e punës, si dhe shqetësimin për rikualifikimin e veprës penale ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj.

Në këtë letër, Tetaj, ka kërkuar që të ndërpritet shpallja e aktgjykimit e të përjashtohet prokurori i rastit. Ai po ashtu ka publikuar edhe videon e momentit kur qëllohet i biri i tij me armë për vdekje.