Arbëri

“QIKA”: Dhuna dhe vrasja e grave po bëhet nën miratimin e një sistemi që e arsyeton

Foto: Contributed / ilustrim

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion “Qika” ka reaguar pas vrasjes së një gruaje në Prishtinë fundjavën e kaluar.

Përmes një komunikate për media rastet e vrasjeve të grave nga partnerët e tyre kanë shënuar rritje dhe kjo duhet të shihet me shqetësim nga të gjithë.

Sipas kësaj organizate, shumë prej grave që jetojnë në lidhje abuzive ku përjetojnë dhunë të vazhdueshme, përfundojnë me vrasje.

“Sipas raportimeve të mediave, Sabahate Sopi, tashmë e ndjera, ka raportuar dy herë dhunën e ushtruar nga bashkëshorti i saj në Policinë e Kosovës. Kërkojmë nga institucionet e rendit që menjëherë të informojnë publikun se pse nuk kanë marrë masat e nevojshme emergjente për siguri të viktimës, ashtu siç kërkohen nga procedurat standarde të veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje. Neglizhenca në trajtimin e rasteve të dhunës në familje jo rrallë herë ka rezultuar me gra viktima”, thuhet në njoftim.

“Qika” thotë se në anën tjetër vrasjet e grave nuk duhet të shihen si rezultat i problemeve personale brenda familjes.

“Kjo mënyrë e trajtimit veç sa i shërben ruajtjes së status quos që dhunën tenton ta paraqes si diçka private. Dhuna dhe vrasja ndaj grave po bëhet nën miratimin e një sistemi që po e arsyeton atë. Femicidi është shkelje e të drejtës së grave për jetë. Shteti po dështon ta garantojë këtë”, thuhet tutje në njoftim.