Arbëri

SHBK: Zemaj udhëzoi të mos testohen rastet e kontaktit në kohë kur u paraqitën tri variante të koronavirusit

Këshilli i Shëndetësisë së Bashkuar Kosovare (SHBK Union) ka reaguar duke thënë se ekziston një mospërputhje dhe paradoks në lidhje me masat e ndërmarra nga Qeveria Hoti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, me numrat real të rasteve pozitive me COVID-19.

Nga SHBK është thënë se në momentin kur u shfaqën tri variante të reja të COVID-19 dhe shtrohej në pyetje efikasiteti i vaksinës anti-COVID ndaj tyre, Zemaj kishte udhëzuar të mos ketë testim të rasteve të kontaktit dhe po ashtu udhëzoi hapjen e Universiteteve, edhepse ishte ministri i vetëm në Ballkan që nuk arriti të siguronte ndonjë vaksinë anti-COVID.

SHBK ka bërë thirrje për vazhdimin e mësimit online, e të mos merren vendime të avokuara politikisht. 

“Në periudhën kur u shfaqën tri variante të reja të COVID-19 dhe shtrohej pyetja për efektivitetin e vaksinës ndaj tyre, Zemaj kishte udhëzuar të mos ketë testim të rasteve të kontaktit dhe udhëzoi të hapen universitetit edhepse ka qenë ministri i vetëm në Ballkan që nuk ka arritur të siguronte asnjë vaksinë. Ky veprim mund të ketë kuptim politik, mirëpo fakti se qytetarët tani përballen me 200 për qind më shumë raste se para dymuajve, tregon stilin sesi është udhëhequr dhe menaxhuar pandemia nga njerëzit që qëllimet politike i vendosën para ekspertëve, shkencës dhe jetës. Duke arsyetuar shkresën ne kemi rekomanduar Ministrinë e Arsimit, të Shëndetësisë dhe IKSHPK-në që të mos marrin vendime të avokuara politikisht dhe të vazhdohet mësimi online, sidomos për faktin që ka rezultuar tejet i suksesshëm. Tani edhe SBASHK ka bërë thirrje, të cilën fuqimisht e përkrahim, prandaj mbesim me rekomandimet që kemi bërë para 4 muajve: mësimi dhe studimi joklinik të vazhdohet tërësisht online, të ketë ekipe dezinfektimi në institucione shkollore e fakultete, të mos ulet standardi FFP2-FFP3 për maskat”, thuhet nga SHBK.

Po ashtu SHBK ka shprehur keqardhje për sulm fizik ndaj një punonjëse shëndetësore në Prishtinë, ndërsa në anën tjetër ka bërë thirrje që të mos dënohen qytetarët na hapësira të hapura, por individët që qëndrojnë nga 20-30 veta pa maska nëpër vendet e mbyllura nëpër të gjitha qytetet e Kosovës.