Arbëri

Gjykata Themelore në Gjilan u cakton 30 ditë paraburgim dy të dyshuarve për rastin e subvencioneve

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurve Z. P. dhe B. T, të dyshuar për keqpërdorim në rastin e subvencioneve.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Z. P., që nga viti 2012, deri në fund të vitit 2020, si person zyrtar në cilësinë e zyrtarit për vlerësim dhe verifikim të aplikacioneve, në Drejtorinë e Bujqësisë në komunën e Gjilanit, në vazhdimësi dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete dhe të pandehurin tjetër B.T., ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i mundësuar të pandehurit B.T., përfitimin e kundërligjshëm të subvencioneve.

“Të pandehurit dyshohet t’i kenë kryer veprat penale në vazhdimësi, që nga viti 2012 deri në vitin 2020, çka do të thotë se të pandehurit kanë vepruar në mënyrë kontinuele dhe në vazhdimësi nga kjo bazë ekziston rreziku se po që se të njëjtit do të liheshin në liri do të vazhdonin në kryerjen e veprave penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Me këto veprime, i pandehuri Z. P., dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i pandehuri B. T., në cilësinë e fermerit, ka kryer veprën penale “mashtrimi me subvencione” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale ka caktuar masën e paraburgimit, duke konsideruar se të njëjtit po të gjendet në liri do të asgjësonin apo dëmtonin provat materiale.