1 perditesime
10:15

VV-ja konfirmohet me 58 ulëse, ndërkombëtarët kërkojnë formimin e shpejtë të institucioneve

Mbi 50 për qind të votave të zgjedhjeve të 14 shkurtit ka marrë Lëvizja Vetëvendosje. Pas përfundimit të procesit ankimor, me çrast u anuluan disa vendvotime, kësaj partie i është rritur përqindja, nga 49.95 për qind sa e kishte me shpalljen e rezultateve përfundimtare.

Një ditë pa u bërë një muaj nga dita e zgjedhjeve, të shtunën, me certifikimin e rezultateve, KQZ-ja bëri të ditur se Vetëvendosje ka marrë 50.28 për qind. Me gjithë rritjen e përqindjes, kjo parti në legjislaturën e tetë të Kuvendit do të ketë 58 ulëse, numër ky i cili ka mbetur i pandryshuar. Një rritje të vogël kanë shënuar edhe PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja, por sikurse edhe për LVV-në, e njëjta nuk ka ndikuar edhe në numrin e deputetëve.

Por me certifikimin e rezultateve, disa prej subjekteve politike u është ndryshuar përbërja e listës së deputetëve. Kështu vendin e Meliza Haradinajt të AAK-së e ka zënë Albana Bytyqi. Nga dy sa ishin gjithsej, Iniciativa Rome ka mbetur me vetëm një deputet. Nga lista e saj është larguar Hatixhe Gjorgjeviq. Ulësen në Kuvend e ka humbur edhe Adrijana Hoxhiq, derisa një të tillë e kanë siguruar Duda Balje e Erxhan Galushi.

Derisa ka renditur vështirësitë me të cilat janë përballur, në mbledhjen e KQZ-së, kryetarja Valdete Daka u ka bërë një kërkesë deputetëve të cilët kanë siguruar ulëse në Kuvend.

“Nga këtu, dua t’u drejtohem deputetëve të legjislaturës së ardhshme, subjekteve politike, që reformën zgjedhore të mos e lënë në udhëkryq, por t’i japin rrugën e duhur. KQZ-ja është e gatshme për të dhënë kontributin e vet profesional në këtë reformë”, ka thënë Daka, derisa nuk ka lënë pa përmendur as kritikat që kanë marrë si institucion. “Edhe pse puna e KQZ-së në këtë proces zgjedhor është shoqëruar me sfida të shumta, duke filluar me kohën e shkurtër në dispozicion për të organizuar zgjedhjet, por edhe me problematika që në të shumtën e rasteve padrejtësisht i faturohen KQZ-së, mund të them se KQZ-ja ka arritur që të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve”.

Por punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e kanë lavdëruar ndërkombëtarët, të cilët kanë kërkuar formimin sa më të shpejtë të institucioneve.

Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, për këtë ka shkruar në Twitter.

“Vlerësoj aftësinë e KQZ-së që të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve në më pak se një muaj nga dita e mbajtjes së tyre. Pres që institucionet e Kosovës (Kuvendi, Qeveria dhe Presidenti) të konstituohen sa më shpejt dhe të fillojnë të punojnë në dobi të qytetarëve të saj”, ka shkruar ai.

Duke shpërndarë deklaratën e shefit të BE-së, ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, ka uruar deputetët e zgjedhur, duke ua rikujtuar institucioneve punët që i presin.

“Urime të gjithë deputetëve të rinj të Kosovës. Mezi presim për një formim të shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë, gjithashtu edhe zgjidhjen e presidentit. Shumë punë për të bërë në luftimin e pandemisë, për të forcuar ekonominë, rendin dhe ligjin dhe progresin drejt integrimit euro-atlantik. S’ka kohë për të humbur”, ka shkruar ai.

Pas certifikimit të rezultateve kanë reaguar edhe partitë politike. Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka falënderuar votuesit e përkrahësit e partisë së tij.

“Certifikimi i rezultateve u bë sot. Fitoi referendumi, fituam në referendum: 50.28 %. Ditë e mirë për Republikë. Shans i madh për Kosovën. Ju faleminderit të gjithë qytetarëve dhe mërgatës për votën e tyre më 14 shkurt, të gjithë anëtarëve e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për punën dhe angazhimin e tyre, të gjithë kandidatëve të listës sonë 127 për përfaqësim dhe kontributin e tyre. U jam mirënjohës përzemërsisht e përjetësisht të gjithëve. Fitorja është e secilit prej jush. Fituam Krejt, Ecim Drejt”, ka shkruar Kurti në Facebook. Pak minuta pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve ka reaguan partia e tij. Në reagimin e Vetëvendosjes thuhet se “me 50.28% ata (qytetarët) u deklaruan se regjimi i vjetër duhet të shkojë dhe vendit duhet t'i hapet perspektivë e re, me zhvillim e pa korrupsion, me mirëqenie e mirëqeverisje”.

Certifikimin e rezultateve e ka mirëpritur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Derisa ka falënderuar të gjithë përkrahësit e AAK-së, Haradinaj ka thënë se do të vazhdojnë të dëshmojnë konsistencë në temat e interesit nacional.

“Aleanca që gjatë tërë historisë së saj politike ka dëshmuar konsistencë në temat e interesit nacional, do të vazhdojë njëjtë dhe besimi juaj do të rezultojë edhe me më shumë punë të mira për shtetin tonë dhe të ardhmen e ndritur të tij dhe për mirëqenien e të gjithë qytetarëve. Zoti e bekoftë Kosovën”, ka shkruar Haradinaj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e 14 shkurtit, pas përfundimit të gjithë procesit ankimor. Me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, përmbyllet i gjithë procesi zgjedhor në vend, duke lënë kështu të hapur rrugën për formimin e institucioneve.

07:56

KQZ-ja certifikon sot rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do mblidhet sot për të bërë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve së 14-shkurtit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se mbledhja do të zhvillohet në ora 10:00.

Njoftimi për certifikim vjen pasi Gjykata Supreme ka marrë vendim për të gjitha ankesat e subjekteve politike lidhur me procesin zgjedhor.

Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit fituese ka dalë Lëvizjen Vetëvendosja me 49.9 % të votave. E dyta renditet PDK-ja me 16.9 %. LDK-ja me 12.64 % renditet partia e tretë. AAK-ja fitoi 7.07%. Lista Srpska ka fituar 10 vendet e rezervuara në parlamentin e Kosovës, ndërsa 10 vende u takojnë pakicave jo serbe.

Sipas KQZ-së pjesëmarrja në zgjedhje ishte 48%, apo mbi 800 mijë votues. Sipas renditjes së vendeve në parlament, Lëvizja Vetëvendosja ka siguruar 58 deputetë. Partia Demokratike e Kosovës 19 deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës 15 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë. Lista Srpska ka siguruar 10 vendet e rezervuara për ta, ndërsa 10 deputetë janë siguruar nga radhët e pakicave jo serbe.

Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditëve. Pika e parë e kuvendit të ri është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit që në bazë të Kushtetutës i takon automatikisht partisë fituese, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje. Udhëheqësi i ri i Kuvendit, mund të marrë në mënyrë automatike edhe rolin e ushtruesit të detyrës së presidentit, post ky që aktualisht ushtrohet nga Vjosa Osmani, që ishte kryetare e Kuvendit në legjislaturën e kaluar. Vjosa Osmani tanimë është kandidate për të marrë postin e presidentes së vendit me mandat pesë vjeçar.