Arbëri

Virusi në miliardat e shtetit (III): Keqmenaxhohen 500 milionët e borxhit të jashtëm

Punimet në hekurudhën në Fushë-Kosovë (Foto:Driton Paçarada/KOHA)
 

Pandemia do ta gjente Kosovën me aplikacionin për organizimin e mësimit online, sikur të ishte funksional një projekt, për të cilin 7 vjet më parë janë marrë 4.9 milionë euro kredi. Po kështu, rruga Prishtinë-Mitrovicë do të duhej të përfundonte prej vitesh, sikur të ishin mirëmenaxhuar tri kredi të marra më 2013 për këtë rrugë. Janë 42 projekte që mbështeten me kredi, por mjetet janë disbursuar vetëm për një të tretën e tyre, shkaku i keqmenaxhimit të demonstruar nga institucionet e Kosovës. Aktualisht borxhi i jashtëm për projekte të kësaj natyre është rreth 500 milionë euro, e i cili planifikon të rritet shumë më shumë.

Po ta hapësh faqen “e-Edukimi.rks-gov.net”, do të hasësh edhe në këtë mesazh: Ky portal u ofron nxënësve një platformë interaktive të mësimit online, e cila e bën më atraktive dhe më të lehtë përvetësimin e njohurive të reja. Por brenda është thuajse bosh.

Qysh në fillim të vitit 2020 shtetet mbyllën shkollat gati gjithandej globit, në përpjekje për ta ulur ritmin e përhapjes së virusit që shkaktoi pandeminë COVID-19. Ngjashëm veproi edhe Kosova. Për muaj të tërë, nxënës e studentë ndoqën mësimin online.