6 perditesime

Kandidati për kryetar i LDK-së, Anton Quni, tha se për partinë e tij ka pasur kritika qysh prej koalicionit me PDK-në që e kishin bërë. Ai thotë se zgjedhjeve ku Vjosa Osmani u priu, ishin rikthim i shpresës për këtë parti se disa gabime do të përmirësohen.

21:29

Quni lë të hapur mundësinë e koalicionit me VV-në nëse zgjidhet kryetar

Anton Quni, kandidat për kryetar i LDK-së, lë të hapur një mundësi që partia e tij dhe Lëvizja Vetëvendosje të futen në koalicion paszgjedhor, nëse kjo e fundit ka nevojë për ta.

Quni në KTV tha se nëse VV-ja do të ketë nevojë për LDK-në si partnere, çështja do të trajtohet brenda strukturës dhe do ta ndihmojë.

“Tani VV-ja nuk ka nevojë për ne, por nëse konsiderojnë që kanë nevojë në përvojën, ekspertizën tonë, besimin që e kanë partnerët ndaj LDK-së mos të ngurrojnë dhe të na kontaktojnë. Kjo çështje pastaj trajtohet dhe kur dikush kërkon ndihmë është e natyrshme edhe t’i ndihmohet”, tha Quni.

21:11

Quni: Më pëlqyen qëndrimet e Mustafës e Hazirit për Osmanin

Kandidati për kryetar të LDK-së Anton Quni ka thënë në “DESKU” të KTV-së se ka diskutuar me kandidatët e tjerë për të parin e LDK-së në lidhje me Vjosa Osmanin dhe se i kanë pëlqyer qëndrimet e tyre.

Quni ka deklaruar se duhet të hapet debat i brendshëm në LDK për të diskutuar për benefitet e shtetit nga shpallja e Vjosa Osmanit për presidentet por edhe për benefitet e LDK-së nga kjo.

“Këtë e kam biseduar me shumë personalitete dhe është problem tani para se të zgjedhet kryetari dhe kryesia e re të krijohet një qasje sugjestive. Jam takuar me Besian Mustafën dhe Lumir Abdixhiku, nesër ose pasnesër takohem edhe me z.Haziri dhe një nga temat që do ta dëgjoja është se si do e trajtojë personalitetin e znj.Osmani, mundësitë e rikthimit të saj në LDK. Më pëlqyen qëndrimet edhe të Lumirit edhe të Besianit”, tha Quni.

Ai ka shtuar se LDK-ja do të vijë deri tek një vendim i përbashkët por gjithnjë duke pasur kujdes nga vendimet e kaluara, që të mos ndodhin siç ka thënë ai, grupacione brenda LDK-së.

21:07

Quni tregon se si do të votohet në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së për kryetarin e ri

Anton Quni ka treguar mënyrën se si do të votohet në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së të dielën, për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë. Ai tek DESKU ka thënë se është arritur pajtueshmëri e të gjitha degëve të LDK-së që delegatët do të japin më shumë se 50 për qind të gjithë kandidatëve pa përjashtim.

“Pajtueshmëria është që ne do t’i votojmë të gjithë kandidatët. Delegatët do t’ua japin më shumë se 50 për qind të gjithë kandidatëve pa përjashtim. Mund të ndodhë që ndërhyjmë në statutin e LDK-së. Është zotim i degëve që kanë përçuar mendimin e delegatëve që t’ua mundësojnë të gjithë kandidatëve garën. Kjo është gjë e mirë”, tha ai.

Në parim votohen të gjithë kandidatët ashtu që të ketë votim për secilin kandidat që t’i miratohet kandidatura dhe pastaj të kalohet me votim të fshehtë për të gjithë kandidatët. Pastaj kandidati që merr më shumë vota, zgjedhet kryetar.

“Duhet ta ketë shumicën e atyre që janë prezentë në Kuvend. Nëse nuk arrin 50 për qind, dy të parët me më së shumti vota kalojnë në raundin e dytë”, tha Quni tutje.

21:05

Quni: Është ngritur niveli i demokracisë brenda LDK-së

Kandidati për kryetar të LDK-së, Anton Quni, vlerëson se është rritur niveli i demokracisë brenda partisë dhe se numri i kandidatëve në garën për kryetar e dëshmon këtë.

Pos Qunit kandidaturat për garën për kryetar të LDK-së i kanë konfirmuar edhe Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku e Besian Mustafa.

“E kemi diskutuar. Nëse shkojmë me delegatët e njëjtë, a mundet me u kriju kufizim apo si do të perceptohet nga votuesit, qytetarët e analistët. Por, thjeshtë është pyetje koha. Ne na duhet një kryetar, Kryesi. Nuk e kemi atë komoditet që të fillojmë zgjedhjet nga baza dhe shumica jemi pajtuar. Zëri i arsyes ka dominuar. Do të ishte më mirë të bëhej ndryshimi nga baza. Por nuk e kemi atë komoditet. Po flasim për një periudhë të kufizuar, deri në Kuvendin e rregullt. Po flasim për mandat dyvjeçar në këto kushte. Edhe në këto kushte jam i bindur se është ngritur niveli i demokracisë së brendshme dhe ka qenë një ndër arsyet që më ka motivuar me i thy këto tabu. Vet numri i kandidaturave është fakt që do të ketë garë, do të ketë garë të shëndoshë. Kërkesa e shumicës, brenda anëtarëve të kryesisë, kryetarëve të degëve, diskutimet me degë, së paku në degën që e udhëhoqi, e përbashkëta është që duam kryetar që zgjidhet me votën e fshehtë. Përderisa është ashtu, është krijuar një bindje që në këtë mënyrë do të vijmë te një kryetar për të cilin e kanë pëlqimin shumica e delegatëve”, ka thënë Quni në DESKUN e KOHËS.

20:50

Quni: Nuk ka funksionuar harmonizimi i qëndrimeve në mes të Kurtit dhe Mustafës

Kandidati për kryetar të LDK-së, Anton Quni ka thënë në “DESKU” të KTV-së se kur ndërtohet një koalicion qeverisës, një ditë e punës në Qeveri do të duhej të niste dhe të mbaronte me takimin mes dy liderëve të koalicionit.

Quni ka thënë se kjo nuk ka ndodhur tek koalicioni VV-LDK dhe se për këtë arsye ka ardhur deri tek prishja e koalicionit.

“Unë kam menduar që kur ndërtohet një koalicion, dita do të duhej të fillonte dhe të mbaronte me një takim në mes të liderëve, thjeshtë një shkëmbim informatash dhe dakordim për agjendën ditore dhje përfundimi i orarit me një analizë se çka është përmbushur gjatë ditës. Kjo nuk ka funksionuar dhe kjo ka dhënë hapësirë që faktorë të ndryshëm të ndikojnë që hendeku të thellohet edhe më shumë derisa erdhi te pika kur humbi edhe besimi në Kuvend”, ka thënë Quni.

Sipas tij, vërejtjet që erdhën nga SHBA-ja dhe BE-ja në lidhje me taksën ndaj Serbisë dhe çështje të tjera gjatë qeverisjes VV-LDK, nuk u kapërdinë nga LDK-ja.

“Për ne ishte absurde të vazhdohet nëse nuk ka rishikim të vendimeve dhe t’i prishim marrëdhëniet me SHBA-në. Kjo është një çështje që brenda LDK-së nuk kapërdihet dhe jam i bindur se edhe z.Kurti e ka trajtuar këtë temë se si do të trajtohet brenda LDK-së dhe është dashur të shprehet vullnet dhe të diskutohet se si do të kalohet kjo”, është shprehur Quni.

20:44

Quni: Vendimi për shkarkimin e Agim Veliut nuk ishte i drejtë

Kandidati për kryetar të LDK-së, Anton Quni, ka analizuar ngjarjet që kanë çuar te rrëzimi i Qeverisë Kurti. 

Ai ka thënë se vendimi i Kurtit për ta shkarkuar nga posti i ministrit të Brendshëm, Agim Veliun, nuk ishte i drejtë. Quni në DESKUN e KOHËS ka thënë se Veliu kishte folur për media atëbotë njëjtë siç kishte folur edhe brenda në Këshillin e Sigurisë.

Veliu në atë kohë kishte thënë se është për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19, ndërsa kjo rezultoi me shkarkimin e tij.

“Mendoj se ai vendim nuk ishte i drejtë. Çdo njeri ka të drejtë të shpreh mendimin e vet, nuk ishte vendim që duhej t’i përmbahemi. Dhe atë që e kishte thënë Z. Veliu në Këshillin e Sigurisë e përsëriti edhe para mediave. Mundemi me trajtu në rrafshin profesional nëse kishte nevojë të shpallet gjendja e jashtëzakonshme apo jo. Më pas u bisedua në kryesi të LDK-së ky venim, u pajtuam që kryetari t’i jap edhe një mundësi Z. Kurtit që të rishikojë vendimet. Ishte afati njëjavor nëse më kujtohet. Nuk pati reflektim në këtë drejtim deri te seanca, ku unë personalisht me autoritetin tim privat bëra edhe një përpjekje pa ndonjë autorizim. Isha i interesuar të vazhdonte ajo Qeveri. Kur e krijon një atmosferë te qytetarët që presim shumë nga ajo Qeveri e tani vjen në pikën zero, normal shkakton dëshpërim të madh”, ka deklaruar Quni.

20:31

Quni: Në koalicion me VV-në kishte momente kur LDK-ja nuk pyetej rreth qeverisjes

Kandidati për kryetar i LDK-së, Anton Quni, tha se për partinë e tij ka pasur kritika qysh prej koalicionit me PDK-në që e kishin bërë. Ai thotë se zgjedhjeve ku Vjosa Osmani u priu, ishin rikthim i shpresës për këtë parti se disa gabime do të përmirësohen.

“Janë disa momente kur nga kryesia kanë dalë disa vendime që nuk janë parapëlqyer nga trupi i votuesve. Kemi pasë reagime. Sado që janë bë përpjekje që vendimet të kuptohen si racionale në dobi të shtetit, ka pasë momente që kemi qenë në fokus të kritikave. Kjo fillon të theksohet nga momenti kur u arrit marrëveshja me PDK-në dhe kur një pjesë e votuesve shprehën një dozë pakënaqësie. Kur vjen momenti që zgjedhjeve nacionale t’u prijë Vjosa Osmani është një rikthim i shpresës se disa gabime në të kaluarën tani do të përmirësohen. Pritjet ishin të mëdha”, tha ai në DESKU të KOHËS.

Quni më pas sqaroi pak edhe për koalicionin me Vetëvendosjes. Thotë se fillimisht ishte krijuar lidhshmëri mes tyre, por pas zgjedhjeve u krijuan probleme mes tyre lidhur me harmonizimin e programit qeverisës.

Në disa momente, thotë ai, autoritetet e LDK-së nuk pyeteshin fare për hapat që do ndërmerreshin derisa kishin koalicion me VV-në.

“U krijua një emocion, lidhshmëri mes LDK-së dhe VV-së që kuptohej si e natyrshme që koalicioni i radhës do jetë mes tyre. Por pas shpalljes së rezultateve fillojnë problemet e para me harmonizimin e programit qeverisës. Ishin disa momente kur autoritetet e LDK-së nuk pyeteshin fort për hapat e mëtejmë, për konsolidimin e Kuvendit e Qeverisë dhe krijohet një krizë në momentin pa konsultime brendapartiake. Emërohet kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe jepet një pretekst i disa personaliteteve brenda LDK-së që të ngrisin zërin se nuk mund të ngritet partneritet me VV-në. Një grup që ishim i identifikuar të arrihej ky koalicion dhe tjetri që e kundërshtonin, këto dy grupe brenda LDK-së i shfaqnin mendimet e qëndrimet e ndryshme dhe kryetari ishte në pozitë jo të mirë”, tha ai tutje.