Arbëri

Përbërja e Qeverisë së re: Kërkohet kujdes në reduktimin e ministrive

Derisa thonë se numri i ministrive nuk duhet të jetë assesi më i madh sesa 15, përfaqësues të organizatave që merren me punën e institucioneve në vend janë duke kërkuar kujdes në bashkimin e ministrive përkatëse, me qëllim të reduktimit të tyre. Në anën tjetër, nga Vetëvendosje thonë se në krye të ministrive nuk do të ketë më pak se pesë ministre

Qeveria Kurti II do t’i ketë afërsisht po aq ministri sa ajo Kurti I, është bërë e ditur të martën nga Lëvizja Vetëvendosje.

Me gjithë që nga kjo parti insistojnë se është ende herët që të flitet për emrat e anëtarëve të kabinetit, përmes një përgjigjeje me shkrim është thënë se numri i ministrive nuk do të jetë më i madh sesa që ishte në qeverisjen e 2020-s.

“Ne do të synojmë një kabinet të vogël qeveritar. Siç ka deklaruar edhe më herët vetë kryeministri në ardhje, Albin Kurti, numri i ministrive nuk do të jetë më i madh sesa ai gjatë Qeverisë Kurti 1, kurse për çdo ministri do të ketë jo më shumë se dy zëvendësministra”, thuhet në përgjigjen e Arlind Manxhukës, i cili udhëheq Zyrën për Komunikim me Publikun në Vetëvendosje.

Por shoqëria civile është duke i kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje që të ketë kujdes në organizimin e kabinetit qeverisës e në përfaqësimin e barabartë gjinor.

Teksa ka bërë thirrje që numri i ministrive të mos jetë mbi 15, Mexhide Demolli nga lëvizja “Fol” ka thënë se shkrirja e disa ministrive në një të vetme, me qëllim të reduktimit të numrit të tyre, duhet të bëhet në mënyrë që ato të jenë funksionale. “Nuk jemi që të kemi qeveri me 20 ministri e tutje, numri duhet të jetë më i vogël. Por edhe bashkimi i ministrive duhet të mendohet mirë, të jetë më i natyrshëm dhe jo siç e kemi rastin e MPB-së dhe të administratës. Duhet të ketë bashkim të ministrive në bazë të fushave”, ka thënë Demolli.

E sipas Grupit për Studime Politike dhe Juridike (GLSP), bashkimi i disa ministrive në një të vetme duhet të bëhet me një plan paraprak, pasi në të kundërtën menaxhimi i tyre do të ishte i vështirë.

“Edhe pse ne jemi për një qeveri të vogël me numër të vogël të ministrive, gjithsesi mendojmë që duhet evituar bashkimin e disa dikastereve në një ministri të vetme, në rrafshin praktik, ministritë e tilla janë vështirë të menaxhueshme”, ka thënë Njomza Arifi, hulumtuese në GLSP.

Përveç numrit të vogël të ministrive, Demolli e Arifi kanë bërë thirrje që përbërja e re e Qeverisë të ketë përfaqësim të barabartë gjinor. Sipas Demollit, shkaku i mundësisë për ta formuar qeverinë e vetme Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arsye të mos ketë po aq gra sa edhe burra në Qeveri.

“Shpresojmë shumë që një gjë e tillë do të reflektojë edhe në përbërjen e Qeverisë. Qeveria Kurti do t’i ketë duart e lira. Nuk do të ketë arsyetime se partneri i koalicionit është duke e imponuar këtë ministër ose këtë ministre”, ka thënë Demolli.

Kurse Arifi ka kujtuar rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Ne presim që të ketë përfaqësim dinjitoz, pse jo edhe të barabartë, sepse e njëjta do të jetë reflektim i fuqisë politike dhe votave të fundit që e reflektuan një gjë të tillë”, ka deklaruar Arifi.

Sa i përket përfaqësimit gjinor, një ditë më parë, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të ketë më pak se pesë ministre në qeverinë e re.

Në marshin protestues për Ditën Ndërkombëtare të Grave, Kurti ka shtuar se deputetet e zgjedhura “populli i Kosovës i ka bërë përfaqësuese të qytetarëve”.

“Ne për asnjë gjë nuk do të biem më poshtë se që kemi qenë, ju e keni parasysh Qeverinë e mirë të pranverës 2020, më pak se 5 nuk do të kemi, do të shikojmë se çka do të bëjmë edhe më shumë”, ka deklaruar ai të hënën.