3 perditesime
15:25

BE: Pas dhjetë vjetëve dialog është koha të lëvizim para drejt një fundi të suksesshëm

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme, Peter Stano, ka thënë se dialogu Kosovë – Serbi ka bërë dallim për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor.

Mirëpo, Stano, ka thënë se pritet që të lëvizet para e të arrihet një përfundim i suksesshëm i procesit të dialogut që nisi dhjetë vjet më parë.

“Synimi i emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili bëri vizitë në Prishtinë e Beograd së fundi, është që të vlerësojë situatën me dy palët se si duan të vazhdojnë procesin. Ka mirëkuptim nga palët se dialogu nuk ka alternativë dhe është kyç për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, pasi rruga evropiane për Kosovën dhe Serbinë kalon nëpërmjet dialogut të ndihmuar nga BE-ja dhe normalizimit të marrëdhënieve. Dialogu ka bërë dallim të madh për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor. Por, pas dhjetë vjetëve është koha të lëvizin para dhe të sjellim procesin drejt një fundi të suksesshëm, Për këtë po bashkëpunojmë me dy palët për një marrëveshje gjithpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve. Shtetet anëtare të BE-së presin që dialogu të vazhdojë sa më shpejt, e të shohin Beogradin e Prishtinën të angazhohen për të sjellë këtë proces drejt një fundi të suksesshëm”, ka thënë Stano, raporton Tanjug.

14:26

BE: Dialogu për 10 vjet ka sjellë ndryshime të qarta

Në 10-vjetorin e nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet në Bruksel, Bashkimi Evropian ka thënë se ky proces ka sjellë ndryshime të qarta për qytetarët në Kosovë dhe rajon.

Por, zëdhënësi i bllokut evropian, Peter Stano, ka thënë se tani ka ardhur koha që dialogu të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Ai ka rikujtuar të hënën edhe vizitën e përfaqësuesit të posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, në rajonin e Ballkanit javën e kaluar, për të parë se si e shohin palët dialogun dhe vazhdimin e tij.

“Pati pajtim të plotë se dialogu nuk ka alternativë dhe se ai duhet të vazhdojë. Qëllimi i dialogut ishte që t’i afrojë palët drejt të ardhmes evropiane. Pra, si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën, të ketë përparim në rrugën e tyre evropiane. Rruga evropiane shkon përmes dialogut” ka thënë mes tjerash Stano.

Në pyetjen rreth deklaratave të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Stano ka thënë se BE-ja “nuk i komenton deklaratat e liderëve nëpër media”, por ka shtuar se “në përgjithësi qëndrimi i BE-së është se pret nga liderët që me shembullin e tyre personal të punojnë drejt pajtimit dhe frymës konstruktive dhe mirëbesimit në rajon”.

Ai e ka evituar në këtë mënyrë edhe pyetjen direkte se a është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, diçka që BE-ja e kundërshton.

“Siç kemi thënë disa herë, qëllimi kryesor i dialogut është të arrihet marrëveshja për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve, e pranueshme për të dyja palët, sipas standardeve të BE-së, dhe e cila do të kishte ndikim pozitiv në rajon”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së./Tch/

13:40

10 vjet dialog me Serbinë, njohja reciproke larg e arritshme

Prishtinë, 8 mars (Kosova Press) - Sot janë bërë dhjetë vjet nga fillimi i dialogut me Serbinë në ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. I nisur si dialog teknik më 8 mars të vitit 2011, një dekadë negociata në Bruksel po konsiderohen të dështuara në arritjen e epilogut përfundimtar të marrëveshjes finale. Nga 35 marrëveshje që prodhoi ky dialog shumica prej tyre nuk kanë gjetur zbatim, si pasojë e refuzimit të palës serbe. Ndërkohë, edhe e ardhmja vlerësohet si diskutabile në arritjen e qëllimit të njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve. Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se deri në prill të vitit 2022, nuk pritet të ketë̈ ndonjë̈ progres në këtë drejtim.

Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik e Kosovës (KDI) ka thënë se nga 35 marrëveshjet e arritura kanë gjetur zbatim vetëm ajo për vulat doganore, regjistrat civil, njohja policave të sigurimit dhe certifikatave të ADR-së.

“Tani pas dhjetë viteve kur reflektojmë prapa se çfarë ka ndodhur në këtë proces shohim se janë arritur 35 marrëveshje nga i gjithë procesi i dialogut. Shumica e këtyre marrëveshjeve ende nuk janë zbatuar plotësisht. Nga ajo që kemi monitoruar ne si KDI është se pala serbe ka refuzuar të zbatoj shumicën e marrëveshjeve. Ajo është përkujdesur të mos zbatoj marrëveshjet sidomos në pikat ku është implikuar në ndonjë mënyrë njohja e Kosovës si shtet i pavarur...Disa nga marrëveshjet që janë zbatuar deri më tani janë marrëveshja për vulat doganore, marrëveshja për regjistrat civil, marrëveshja për njohjen e policave të sigurimit, njohjen e certifikatave ADR. Ndërsa marrëveshjet që ende nuk janë zbatuar, apo janë në zbatim e sipër janë marrëveshja për asociacionin e komunave serbe, një pjesë e marrëveshjes së energjisë, një pjesë e marrëveshjes së telekomit, e kështu me radhë”, thotë ajo.

Të dështuara gjithë këto vjet të dialogut për të arritur marrëveshjen finale i quan Visar Xhambazi nga Demokracia për Zhvillim (D4D).

“Dialogu ka filluar fillimisht si teknik nga viti 2011, pastaj ka tejkaluar në dialog politik. Me gjithë̈ progresin relativ ka pasur disa marrëveshje, duke përfshirë̈ lëvizjen e lirë, telekomunikacionin dhe të tjera që janë̈ arritur...Dialogu ka dështuar të arrijë në epilog përfundimtar sepse ky ka qenë qëllimi që nga fillimi i fasilitimit të tij që të arrihej një̈ marrëveshje përfundimtare që do të tejkaloj këtë̈ ngërç̧ politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë̈. Mendoj që 10 vjet dialog janë̈ shumë vjet të humbura dhe mendoj që ka ardhur koha që BE-ja së bashku me ShBA-në ta konkulodoj këtë̈ dialog sepse 10 vjet janë̈ tepër të mëdha” , thotë ai.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i institutit “Epik”, Demush Shasha, ka thënë se deri në vitin 2022 nuk pret arritjen e marrëveshjes finale për njohje reciproke. Derisa edhe tregon cilat janë mësimet që duhet t’i nxjerr Kosova nga këto dhjetë vite dialog.

“Nuk pres ndonjë̈ progres të ndjeshëm respektivisht në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve...nuk pres për shkak të dinamikave politike në Serbi me ç’rast për një̈ vit nga sot në Serbi do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Deri në prill të vitit 2022 nuk duhet pritur ndonjë̈ progres në çështjet kyçe me Serbinë... Nuk guxojmë̈ të hapim çështjet e shtetësisë̈ sonë̈ në kuadër të dialogut me Serbinë̈. Pra ne kemi parë se gjatë këtij dialogu janë̈ hapur tema të cilat kanë prek shtetësinë̈ tonë. Respektivisht çështja e shkëmbimit të territoreve dhe asociacionit. Asnjë̈ nga këto tema nuk guxojnë̈ të hapen në të ardhmen. Ky është̈ njä mësim”, thotë ai.

Dialogu me Serbinë ka stagnuar që nga viti i kaluar, ndërsa në fillimin e javës së kaluar në Kosovë qëndroi edhe emisari special e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, i cili tha se pret rifillim të dialogut pas konstituimit të qeverisë së re.

08:15

Dhjetë vjet nga nisja e dialogut Kosovë – Serbi

Prishtinë, 8 mars (Kosova Press) Bisedimet teknike në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë filluar më 8 mars të vitit 2011.

Deri te fillimi i bisedimeve erdhi pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2010 miratoi rezolutën nga 27 vendet e atëhershme të BE-së, e cila hapi rrugë për fillimin e dialogut, me qëllim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit.

Në një gjë të tillë kontribuoi edhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë më 2010, sipas të cilit, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Dialogun teknik në vitin 2011 e udhëhoqi Qeveria e Kosovës, dhe në krye të ekipit negociator të Kosovës ishte Edita Tahiri.

Edhe pse në fillim u paralajmërua që Kosova do të bisedojë me Serbinë vetëm për çështje teknike, të cilat janë udhëhequr nga ekipet teknike të të dyja shteteve, në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluan edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Negociatat u zhvilluan nga kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Marrëveshja e parë në kuadër të këtij procesi u arrit ndërmjet dy kryeministrave, në prill të vitit 2013. Ishte dokumenti i parë i nënshkriar mbi normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve me ndërmjetësimin e BE-së. Një nga pikat kryesore e kësaj marrëveshje ishte formimi i Asociacionit të Komunave Serbe.

Më vonë, procesi u ngrit në negociata në nivel të presidentëve. Kosovën e përfaqësonte presidenti Hashim Thaçi, ndërsa Serbinë, Aleksandar Vuçiq.

Deri më tani janë arritur mbi 23 marrëveshje në dialogun në nivelin teknik dhe politik. Marrëveshja e parë ishte për regjistrat civil.

Në vitin 2015 është arritur marrëveshja për shpërbërjen dhe integrimin e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile” në veri të Kosovës, marrëveshja për njohjen reciproke të policave të automjeteve, për energji si dhe marrëveshja për certifikatat ADR, ndërsa në janar të vitit 2017 marrëveshja për integrimin e gjyqësorit në veri të Kosovës.

Në nëntor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj vendosi taksë qind për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja, duke e kushtëzuar tërheqjen e këtij vendimi me njohjen e Kosovës nga Beogradi zyrtar.

Ndërsa, Albin Kurti, i cili drejtoi Qeverinë e Kosovës për 51 ditë, në vitin 2020 e shfuqizoi vendimin për taksa dhe e zëvendësoi me masa të reciprocitetit. Pas rënies së Qeverisë Kurti, në krye të Ekzekutivit erdhi Avdullah Hoti nga radhët e LDK-së, i cili ndër vendimet e tij të para që mori ishte shfuqizimi i vendimit për reciprocitet.

Dialogu Kosovë -Serbi rifilloi më 16 korrik 2020 në Bruksel, me takimin e kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ku tema kryesore ishin personat e pagjetur dhe bashkëpunimi ekonomik. Ndërsa më 4 shtator në Ëashington, u nënshkrua marrëveshja Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e SHBA-së, për normalizim ekonomik.

Marrëveshja përfshin një sërë projektesh ekonomike, si ndërtimi i autostradës, i linjës hekurudhore dhe nisja e fluturimeve Prishtinë-Beograd. Në këtë marrëveshje, palët po ashtu janë pajtuar që SHBA të kryejë studim fizibiliteti në Ujman.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021 në Kosovë, lideri i partisë fituese Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka paralajmëruar se dialogu do të jetë prioritet i katërt në qeverisjen e tij, ndërsa emisari special i BE-së Mirosllav Lajçak ka thënë se pret takimin Kurti-Vuçiq para verës.