Arbëri

Në prill nis pilotimi i testit PISA me 2240 nxënës

Descriptive Text

Në pilotim janë përzgjedhur të marrin pjesë 2240 nxënës të 40 shkollave të Kosovës. Testi final PISA do të mbahet në prill dhe maj të vitit të ardhshëm. Në MASH thonë se kësaj radhe presin rezultate më të mira se në dy herët e kaluara. Për herë të parë Kosova mori pjesë në “PISA 2015” ku u rendit ndër vendet e fundit pjesëmarrëse. Renditje pothuajse të njëjtë pati edhe në “PISA 2018”

Prishtinë, 7 mars - Ministria e Arsimit ka nisur me përgatitjet për testin “PISA 2022” që do të mbahet vitin e ardhshëm.

Një vit para se të mbahet testi final, saktësisht në prill të këtij viti, është planifikuar pilotimi i këtij testi. Për pjesëmarrje janë përzgjedhur të jenë 2240 nxënës 15-vjeçar.

MASH-i ka bërë të ditur se përgatitjet e para kanë përfunduar dhe së shpejti do të fillojë aktivitetet për përgatitjen e qendrave të testimit. Nxënësit e përzgjedhur për pilotim janë nga 40 shkolla në Kosovë.

“Testi final mbahet nga 15 prill 2022 deri më 15 maj 2022. Presim rezultate më të mira se në ciklet paraprake, por do të shihet edhe efekti i pandemisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KOHËN.

Nxënësit që do të marrin pjesë në testin pilotues nuk janë të njëjtët që i nënshtrohen testit final, ngase përzgjedhja e tyre do të bëhet tek në shkurt të vitit 2022. Përzgjedhja e nxënësve bëhet në mënyrë të rastësishme përmes një sistemi nga PISA.

Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, sikurse në “PISA 2015” dhe “2018” edhe kësaj radhe nuk do të ketë rezultate të mira, meqë, siç shprehet, institucionet nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete për ngritjen e cilësisë në arsim.

Një ndikim jo të mirë, sipas tij, do ta ketë edhe pandemia.

“PISA në dy herët e kaluara ka treguar që rezultatet dhe cilësia në arsim kanë qenë të dobëta, por pa dyshim që pandemia ka ndikuar edhe më tutje që kjo cilësi të mos ngrihet, por të bjerë edhe më tepër, andaj është vështirë të pritet ndonjë rezultat shumë më i mirë në kushtet e krijuara”, ka thënë ai.

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) është një studim ndërkombëtar i arsimit që vlerëson aftësitë e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë dhe mbahet çdo 3 vjet.

Për herë të parë Kosova mori pjesë në “PISA 2015”, ku u rendit ndër vendet e fundit pjesëmarrëse. Renditje pothuajse të njëjtë pati edhe në “PISA 2018”, ku nga 79 shtetet pjesëmarrëse, në lexim zuri vendin e 77-të derisa në matematikë dhe shkencë të 76-in, duke lënë prapa vetëm Panamanë, Republikën Dominikane e Filipinet.

Herën e parë testi ishte mbajtur me laps, kurse herën e dytë në kompjuter. Në shkollat që nuk kishin kompjuterë, MASH-i u kishte dërguar laptopë, në mënyrë që nxënësit t’i nënshtroheshin testit në formë digjitale, siç kishte paraparë testi “PISA 2018”.