Arbëri

Kosova me fushatë për ngritjen e vetëdijes për vaksinim – për vaksina “konsultat vazhdojnë”

Ani pse Kosova ende nuk e ka nisur vaksinimin kundër COVID-19 dhe nuk dihet se kur pritet të arrijnë sasitë e para, institucionet janë kujdesur që në fillim të muajit mars të fillojnë me fushatën për ngritjen e vetëdijes për vaksinim.

Mesazhe sensibilizuese rreth vaksinimit janë duke u shpërndarë në rrjetet sociale nga MSh-ja dhe IKSHPK-ja. Por “Pfizer’ nuk e konfirmon nëse ka marrëveshje me Kosovën për sjelljen e 500 mijë dozave të vaksinës.

MSh-ja gjatë të hënës ka thënë që ka marrëveshje me kompaninë “Pfizer” për sjelljen e rreth 500 mijë dozave të vaksinës në Kosovë, një gjë të tillë nuk e ka konfirmuar kjo kompani.

Në një përgjigje për KOHËN, “Pfizer” ka thënë se janë ende në konsultime me Qeverinë e Kosovës.

“Nuk kemi ndonjë informacion të ri për t’ju dhënë. ‘Pfizer’ dhe ‘BioNTech’ janë të përkushtuara ta sjellin këtë vaksinë për të ndihmuar në përmbushjen e nevojës globale të shëndetit publik. Ne jemi në diskutime me Qeverinë në Kosovë për të siguruar qasje në vaksinë. Diskutimet me Qeverinë janë konfidenciale dhe nuk kemi asgjë për të njoftuar tani”, ka thënë “Pfizer”.

Muaji shkurt ishte koha kur krerët institucionalë vazhdimisht premtuan ardhjen e dozave të para dhe fillimin e vaksinimit në Kosovë. Të gjithë këtë mjeku Fahri Beqa, i cili edhe punon në Gjermani, e sheh si një fushatë politike që është shfrytëzuar për të fituar vota.

“Premtimet për sigurimin e vaksinave në muajin shkurt ka qenë e gjitha për marketing politik pasi që të gjitha shtetet kanë probleme me sigurimin e vaksinave”, ka thënë Beqa.

Beqa ka kritikuar edhe qasjen e Kosovës karshi pandemisë, duke thënë se edhe pse ka masa, ato nuk po respektohen nga askush.

“Masat e parandalimit në letër ka pasur mjaftueshëm mirëpo këto masa nuk janë zbatuar, si nga institucionet dhe bartësit e menaxherët e pandemisë, në Kosovë edhe ashtu nga popullata. Sepse ata që janë të thirrur për menaxhimin e pandemisë nuk i kanë respektuar e popullata ka ndjekur shembullin e tyre”, ka shtuar ai.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë ka ndryshuar kursin duke premtuar tashmë se në mars mund të fillojë vaksinimi në Kosovë.

“Ata që e kanë pasur për detyrë të na furnizojnë me vaksina shkurtin e bartën në mars. Andaj tani më e rëndësishme është që vaksina është parandaluesi i vetëm i virusit, duhet të respektohen rregullat COVID, jemi të vetëdijshëm edhe për personin e qytetarëve që po bëhet për vaksinimin nga vendet e tjera sidomos të qytetarëve serb. Por ne e kemi të qartë që nuk do të marrim vaksina nga Serbia e Rusia”, ka deklaruar Armend Zemaj.

Deri më tani mekanizmi COVAX ka konfirmuar sjelljen e mbi 100 mijë dozave të vaksinës nga “AstraZeneka”, por ka thënë se ato mund të vijnë deri në muajin maj.