Arbëri

14 deputetë të legjislaturës së re përballen me aktakuza, prin VV-ja

Ulëset e deputetëve i kanë zënë edhe personat, të cilët përballen me procese gjyqësore.

Zyrtarizmi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit ka nxjerrë listën e plotë të deputetëve që do ta përbejnë legjislaturën e ardhshme.

Persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale, siç janë veprat penale të kapitullit të korrupsionit, sulmit e përdorimit të armëve kanë fituar garën për deputetë.

Më së shumti të akuzuar ka fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

Gjashtë deputetë të kësaj partie janë në proces gjyqësor për veprën penale përdorim i armës dhe pengim i personit zyrtar, për veprimet e tyre që lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Partia që një pjesë të programit ia ka kushtuar luftës kundër korrupsionit, do të ketë dy deputete të akuzuara për korrupsion. 

Mimoza Kusari-Lila që është një nga gratë më të votuara është e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në aferën e njohur si “falja e hidrocentraleve”, e Jetmira Vrenezi në cilësinë e zyrtares në Komunën e Prizrenit akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare me qëllim të dëmtimit të biznesit “Abi Shpk”.

Sali Zyba që ka fituar mandatin e deputetit ka aktakuzë për sulm ndaj personit zyrtar.

PDK-ja është partia e dytë edhe për nga numri i deputetëve që kanë akuza.

Xhavit Haliti është i akuzuar për veprën penale sulm ndaj deputetit të LDK-së, Arben Gashi.

Deputetë të akuzuar do të ketë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Time Kadrijaj akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend. Por, dy kolegë të saj janë të akuzuar për korrupsion.

Ish-ministri Pal Lekaj, ka aktgjykim dënues për korrupsion në shkallë të parë. Por, pa vendim të Apelit vendimi për dënimin e tij nuk është i plotfuqishëm. Ai është dënuar para disa ditësh për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me shpërndarjen e subvencioneve sa ishte kryetar i Komunës së Gjakovës.

Edhe kolegia e tij, ministrja në detyrë, Meliza Haradinaj-Stublla, po përballet me akuza për korrupsion. Ajo ishte dënuar fillimi për mosdeklarim të pasurisë, por Apeli e ka kthyer këtë rast në rigjykim, ndërsa shkalla e parë nuk e ka përfunduar ende këtë proces.

LDK-ja është partia, e cila nuk ka të akuzuar në listën e deputetëve, por kjo parti kishte kandidatë të akuzuar në garë për deputetë.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar duke thënë se në Kuvend do të jenë 14 deputetë me aktakuza.

Të gjitha partitë politike në fushatën elektorale kanë premtuar për rritjen e efikasitetit në luftën kundër korrupsion, ndërsa Albin Kurti, partia e të cilit ka marrë më së shumti vota, pati premtuar që në Qeveri nuk do të këtë persona me aktakuza.