Arbëri

Data simbolike: 25 marsi, dita kur pritet të formohet qeveria Kurti 2

Kosova pritet të bëhet me qeveri të re brenda tri javëve.

Në partinë që i fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit është duke qarkulluar ideja që Kuvendi ta votojë qeverinë Kurti 2 më 25 mars, pikërisht në datën kur i është marrë mandati qeverisë Kurti I, nëpërmjet mocionit të mosbesimit që e organizoi LDK-ja dhe që u mbështet nga opozita e atëhershme e Lista Serbe, dhe një numër deputetësh nga komunitetet.

Një vit pas, Vetëvendosje si e vetme ka dyfishuar votën dhe ka siguruar ulëse në Kuvend gati sa të gjitha partitë e tjera bashkë.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i këtij subjekti politik, refuzon të përmendë një datë kur pritet të votohet për qeverinë, ndërsa thotë se në koalicion do t’i ftojnë vetëm disa nga deputetët që përfaqësojnë komunitetet joserbe.

“Me rezultatet e shpallura nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje ka gjithsej 58 deputetë dhe unë besoj që ky numër bashkë me disa nga deputetët e pakicave joserbe do të jenë të mjaftueshëm për formimin e institucioneve, fillimisht qeverisëse”, ka thënë Kryeziu.

Vetëvendosja tashmë e ka punë të kryer gjysmën e përbërjes së Kuvendit. Me Elbert Krasniqin e Emilja Rexhepin, që përfaqësojnë komunitetet, bëjnë saktësisht 60 deputetë.

E, janë edhe dy ligjvënës të Partisë Demokratike Turke që presin të jenë pjesë e koalicionit qeverisës.

“Do ta shikojmë mënyrën e bashkëpunimit me qeverinë e re. Nuk jemi kundër një qeverie me Albinin. Para një viti kemi qenë mbështetës të fuqishëm. Besoj që edhe këtë herë do të jemi përkrahës, por varet prej bisedimeve që do t’i kemi me kryeministrin Albin Kurti”, është shprehur Fitim Damka nga KDTP-ja.

Kryeministri në ardhje ka thënë se refuzon t’i ftojë në koalicion partitë shqiptare që kanë qeverisur më herët, si dhe Listën Serbe.

Ndonëse kjo qasje nuk ofron komoditet numrash në Kuvend, në Vetëvendosje thonë se shumica do të jetë kompakte si kurrë më parë në Kuvend.

“Unë mendoj që shumica parlamentare absolute për formimin e qeverisë, qeverisë Kurti, do të jetë shumica më organike ndonjëherë në historinë e parlamentit të Republikës së Kosovës. Andaj, do të jetë më e fuqishmja dhe do të funksionojë si njësi për t’i shtyrë përpara ato që do të përkthehen në programin qeverisës”, ka thënë më tej Kryeziu.

Pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, e premtja e javës së ardhshme do të jetë koha kur të gjitha ankesat e mundshme do të marrin epilog.

Nëse nuk do të ketë aprovim ankesash, atëherë mund të certifikohen rezultatet.

Pas kësaj, Kuvendi konstituohet dhe presidentja në detyrë e cakton mandatarin për formimin e qeverisë së re. Pavarësisht detyrimit për të ecur nëpër këto afate, data simbolike 25 mars është e mbërritshme për organizimin e votimit të qeverisë e re.