Arbëri

Kurti ua kthen letrat Netanyahut e Erdoganit, s’përmend Jerusalemin

Duke mos e përmendur fare çështjen e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ua ka kthyer letrat me falënderime kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Pak ditë më parë, pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit, Kurti u gjend “mes dy zjarresh”. Në njërën anën, Netanyahu e ftoi që si kryeministër të marrë pjesë në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, ndërsa Erdogani i kërkoi që të shmangë marrëveshjen e 4 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me të cilën Kosova ishte zotuar të bëhej ndër vendet e para që hap ambasadën në Jerusalem e jo në Tel Aviv.

Teksa ka falënderuar për letrën e urimit, Kurti i ka shkruar Netanyahut se e sheh vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve si mundësi për të përforcuar bashkëpunimin politik, ekonomik e kulturor.

“Kombi jonë historikisht ka respektuar komunitetin hebre. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, do të isha i nderuar të adresoj çështjet e komunitetit hebre dhe trashëgimisë së vet në shtetin tonë. Teksa shtetet tona po vendosin marrëdhënie diplomatike, synoj të zgjerojmë e thellojmë bashkëpunimin tonë në të ardhmen. Faleminderit për ftesën që të vizitoj shtetin tuaj mik, të cilën gjë do ta bëj në një kohë të përshtatshme për të dy palët”, ka shkruar Kurti në letrën e tij për Netanyahun.

Në anën tjetër, në letrën drejtuar Erdoganit, Kurti ka falënderuar atë për rolin që Turqia ka pasur në kohët vendimtare për shtetin e Kosovës.

“Kur qeveria jonë të formohet, synoj të zgjerojmë dhe thellojmë raportet tona përmes komunikimit dhe bashkëpunimit të hapur e të sinqertë”, ka shkruar Kurti.

Image
Image