Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Vendosja e ambasadës në Jerusalem do të shqyrtohet, marrëdhëniet me Izraelin janë të rëndësishme

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit, janë çështje të rëndësishme për vendin.

Në një takim me ambasadorin e Turqisë, Çagri Sakar, Kurti ka deklaruar se vendndodhja e ambasadës është çështje që do të shqyrtohet.

“Rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook.

Në këtë njoftim të VV-së thuhet se ambasadori Sakar ka uruar Kurtin për rezultatin e zgjedhjeve, duke theksuar se Turqia është e interesuar të bashkëpunojë me qeverinë e ardhshme.

“Kryeministri në ardhje, Kurti e informoi Ambasadorin për prioritetet e qeverisë së tij dhe potencoi se në raport me Turqinë do të fokusohemi në shtimin e marrëdhënieve tona bilaterale, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik”, thuhet tutje.

Edhe Erdogani uron Kurtin, i kërkon ta rishikojë çështjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem Arbëri Erdogani uron Kurtin, i kërkon ta rishikojë çështjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem

Me ambasadorin e Turqisë është takuar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani. Bashkë me ambasadorin Cagri Sakar janë diskutuar raportet bilaterale mes dy shteteve, duke potencuar bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe raportet e mira mes shteteve.

“Presidentja në detyrë është shprehur falënderuese për ndihmën që shteti turk i ka ofruar Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj në fusha të ndryshme, e sidomos tash së fundmi përgjatë pandemisë. Ajo ka theksuar faktin se Turqia ka ofruar ndihmë në trajtimin e pacientëve në faza të ndryshme që ka qenë ndihmë e madhe për Kosovën. Ambasadori Sakar ka uruar u.d. Presidenten për rezultatin e arritur në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke konstatuar se vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i qartë dhe se i njëjti duhet të jetësohet përmes krijimit të institucioneve të reja”, thuhet tutje në njoftim.