Arbëri

Një ditë pas shkarkimit, Bytyqi kthehet në punë

Një ditë pasi ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, shkarkoi nga pozita e sekretarit të ministrisë Izedin Bytyqin, ky i fundit është kthyer në vendin e punës me vendim të Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinim.

Në vendimin e marrë nga ky institucion thuhet se anulimi i vendimit të Abrashit është bërë me arsyetimin se ai ka qenë vendim i kundërligjshëm.

Lajmi është konfirmuar nga vetë Bytyqi.

Bytyqi ishte emëruar sekretar në këtë ministri në shkurt të vitit të kaluar, kur ministër ishte Lumir Abdixhiku.

Në vendimin e Abrashit, në vend të Bytyqit ishte caktuar Zymer Abdullahu.