Arbëri

Lajçak: Kurti e di që bashkësia ndërkombëtare pret vazhdimin e dialogut

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare pret nga Qeveria e re e Kosovës që të vazhdohet dialogu Kosovë – Serbi.

Lajçak sot do ta nisë vizitën tre ditore në Kosovë, e më pas do të vizitojë edhe Serbinë.

Ai pritet të takohet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit ka fituar zgjedhjet e parakohshme në Kosovë më 14 shkurt.

“Mendoj se nuk është nevoja të shpjegojë arsyen e vizitës sime. Herën e fundit kur janë takuar dy liderët në Bruksel ishte në shtator, e hera e fundit kur isha në Prishtinë e Beograd ishte tetori. Në nivel të ekspertëve herën e fundit janë takuar palët në dhjetor. Në Kosovë e kemi z. Kurti, që ka fituar zgjedhjet, është e zakonshme që të bisedojmë me të, të shoh si janë planet e tij, prioritetet e Qeverisë, si mendon për vazhdimin e dialogut e po ashtu ta sjelli mesazhin e BE-së. Nuk është fshehtësi që BE-ja pret vazhdimin e dialogut. Ne jemi të gatshëm të sjellim dy liderët në Bruksel, pyetja është se kur mund të ndodhë kjo”, ka thënë Lajçak në intervistë për Tanjug.

Ai ka shtuar se nuk duhet të dramatizohen deklarimet e Kurtit, që ka thënë se dialogu me Serbinë do të jetë në vend të katërt në listën e prioriteteve të Qeverisë së tij.

“Nuk bën të dramatizojmë ato deklarata. Natyrisht se z. Kurti e di që nga ai pritet që të zgjidhë çështjen e lidhur me korrupsionin, problemet ekonomike po ashtu çështjen e sundimit të ligjit. Po ashtu e di ai se bashkësia ndërkombëtare, BE-ja e SHBA-ja, presin vazhdimin e dialogut. Një nga synimet e vizitës sime është të bisedojë me Kurtin. Kemi biseduar me të kur ishte më herët kryeministër. Ai hoqi taksën, bëri të mundur bashkëpunimin konstruktiv të institucioneve shëndetësore gjatë kohës së pandemisë, është partner i njohur për ne”, ka thënë Lajçak.

Ai ka shtuar se edhe në Beograd nuk do të shkojë me ultimatum. Ka thënë se synimi është normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, pasi vetëm nëpërmjet kësaj mund të arrihet integrimi evropian i atyre.

Po ashtu ka thënë se BE-ja gjithmonë ka bashkëpunim shumë të mirë me SHBA-në.