3 perditesime
22:40

Me afro pesë orë me vonesë, fillon numërimi i votave me kusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka filluar procesi i numërimit të votave me kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuara.

KQZ-ja ka njoftuar se janë rreth 31.500 vota me kusht dhe 2.800 të personave me aftësi të kufizuara, të cilat u takojnë komunave të ndryshme, ku do të numërohen në Qendrën e Numrimit dhe Rezultateve.

KQZ-ja kishte njoftuar se numërimi do fillonte në orën 18:00 mirëpo është vonuar për shkak të mosvlerësimit dhe verifikimit të të gjitha fletëvotimeve të ardhura nga diaspora.

“Pas përfundimit të premten në mesnatë të rinumërimit të 552 vendvotimeve, numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon fazën përfundimtare para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mund të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 14 shkurt”, thuhet në njoftimin e dhënë nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

19:14

Ende s’ka filluar numërimi i votave me kusht

Ende nuk ka filluar numërimi i votave me kusht dhe personave me aftësi të kufizuara.

Numërimi ishte paralajmëruar të fillonte në orën 18:00, mirëpo zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se kjo vonesë është bërë sepse duhet më shumë kohë për vlerësimin dhe verifikimin e të dhënave të fletëvotimeve nga jashtë vendit.

“Është e vështirë që të parashoh orën e saktë se kur mund të fillojë numërimi i votave me kusht dhe personave me aftësi”. Po presim që të fillojë sonte”, ka deklaruar ai.

Ai ka njoftuar se janë 31.427 zarfe me fletëvotime të votave me kusht dhe 2.766 të personave me aftësi të kufizuara.

15:13

Sot në ora 18:00 nis numërimi i votave me kusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot do të nisë procesi i numërimit të votave me kusht.

Numërimi i këtyre votave do të fillojë nga ora 18:00.

“45 vëzhgues për një subjekt politik kanë të drejtë të vëzhgojnë procesin e numërimit të votave me kusht”, ka njoftuar KQZ-ja.

09:14

Sot pritet të nis numërimi i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, sot gjatë ditës pritet të fillojë numërimi i rreth 31 mijë e 500 votave me kusht dhe rreth 2 mijë e 800 votave të personave me nevoja të veçanta.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë të ditur të shtunën se po gjatë ditës së sotme pritet të fillojë edhe numërimi i votave të cilat kanë ardhur përmes postës.

“Aktualisht në QNR është duke u bërë rinumërimi i vendvotimeve për të cilat ka marrë vendim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si dhe të premten në mesnatë, sipas planifikimeve, është përmbyllur procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës”, ka thënë Elezi.

Ndërkohë, shërbimi votues i KQZ-së të premten në mesnatë ka përmbyllur procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime. Nga rezultatet preliminare janë aprovuar rreth 53 mijë e 600 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe.

KQZ-ja pritet që në fillim të javës së ardhshme të bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare duke i hap kështu rrugë formimin të Qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.