Prej 11 të arrestuarve në rastin e njohur si “Subvencioni 2021”, 9 prej tyre do të qëndrojnë në paraburgim për 30 ditë, derisa masë e arrestit shtëpiak u është caktuar 2 prej tyre. Në seancën e mbyllur për media, vetëm njëra nga të dyshuarat ka pranuar fajësinë. Siç ka mësuar KOHA, ajo është arsyetuar se u ka dhënë ryshfet kolegëve për të faktuar keqpërdorimet e tyre, me qëllimin që ta njoftonte prokurorinë
Si skemë e korrupsionit klasik është përshkruar në kërkesën për paraburgim për 11 të arrestuarit në aferën e njohur si “Subvencioni 2021”, ndarja e parave për fermerët.
Sipas dokumenteve të hetuesisë, të siguruara nga KOHA, personi kryesor i kësaj afere është drejtori i pagesave direkte në Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë, Luan Statovci. Kjo sipas prokurorisë dëshmohet në bazë të videoincizimeve përmes masave të fshehta në këtë institucion.
Ndërkohë, inspektori Pajtim Krasniqi, sipas hetuesisë, kishte paguar para që vëllai i tij të fitonte subvencione.
Videoja sipas arsyetimit të Prokurorisë dëshmon së zyrtari Berat Nika në dy raste shihet duke ia sjellë shumën e parave në vlerë prej 5000 dhe 2000 eurosh Luan Statovcit, të cilët i ndajnë për gjysmë.
Të tilla biseda hetuesia pretendon që Luan Statovci ka edhe me të dyshuarit Kastriote Bajrami Sejdiu, Hasan Maxharraj, e Sadat Shkodra.
E dy çanta me para janë sekuestruar në shtëpinë e të dyshuarit Sali Statovci, vëllai i shefit të pagesave direkte në këtë institucion.
“I pandehuri Salih Statovci dyshohet se i ka ndihmuar vëllait të tij Luanit në fshehjen e provave, konkretisht të parave të cilat i ka përfituar përmes marrjes se ryshfetit, pasi që Luani vazhdimisht gjatë aplikimit të masave të fshehta të hetimit dëgjohet duke thënë së ka në posedim shumën e parave në vlerë prej rreth 600 mijë euro”, thuhet aty.
Të premten është mbajtur seanca për caktimin e paraburgimit. Gjykata ka vendosur që 9 prej tyre të qëndrojnë për 30 ditë në paraburgim, ndërsa 2 janë liruar në arrest shtëpiak.
KOHA ka siguruar informata së çfarë është folur në seancën, e cila është mbajtur me dyer të mbyllura për publikun.
Sali Statovci, të cilit i janë sekuestruar qindra e mijëra euro, ka thënë në seancë se do ta dëshmojë që të gjitha paratë që i janë gjetur do të dëshmohen që janë para të bizneseve të tij.
Ndërkohë, një e arrestuar tjetër në seancë e ka lavdëruar hetuesinë për aksionin, në të cilin ka përfunduar edhe vetë në pranga.
“E pandehura Kastriote Bajrami-Sejdiu ka thënë se i përgëzon Prokurorinë dhe Policinë për zbardhjen e rastit i cili ka ndodhur brenda dhe jashtë Ministrisë së Bujqësisë, ku ajo dyshohet për dhënien e ryshfetit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Ajo ka pranuar së ka dhënë ryshfet, por ka thënë se këtë e ka bërë me motiv të mirë.
“Ka shtuar se çështja për të cilën ngarkohet është më së e vërtetë, si dhe ka thënë se fatkeqësisht duhet ta pranojë se ka dhënë ryshfet, mirëpo nëse mund ta quajë ryshfet i obligueshëm në mënyrë që të arrijë deri të synimi-hulumtimi, të cilin e ka nisur qe disa javë, dhe po qe se edhe pak ditë të mos kishte reaguar Prokuroria, ajo do ta bënte denoncimin në prokuroi, sepse të gjitha faktet i ka të incizuara në telefonin e saj”.
Arsyeja, sipas saj, ishte që në koordinim me një fermer të zbulonte keqpërdorimet.
Sejdiu është e vetmja që ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë, duke pranuar veprën penale.
Ajo është liruar nga paraburgimi, por do të qëndrojë në arrest shtëpiak. Masa e arrestit i është shqiptuar edhe Shpejtim Krasniqit, i përfaqësuar nga avokati Fitim Limani.
Për dy ditë Krimet Ekonomike në koordinim me prokurorin Rafet Halimi kanë arrestuar 21 persona me dyshimet për keqpërdorim me subvencione. Fermerët e arrestuar ishin liruar menjëherë pas intervistimit.