Arbëri

Qytetarët nisin ankesat për mashtrimet me subvencione

Për investimin në një mulli rreth 100-vjeçar, Kosovar Roshaj nga fshati Mollopolc i Shtimes, në vitin 2018 kishte përfituar grant nga Ministria e Bujqësisë prej 15 mijë eurosh.

Roshaj kishte hyrë kredi mbi 10 mijë euro për ta finalizuar projektin ashtu siç kishte kërkuar Ministria e Bujqësisë, e cila më pas pritej t'ia kompensonte shpenzimet.

Pas finalizimit të projektit brenda afateve kohore, Roshaj tregon për takimin që ka pasur me Agim Nuhën, i arrestuar në aksionin e policisë.

“Brenda afatit kam shkuar për ta dorëzuar pakon për pagesë, Agim Nuha nuk më ka pranuar herën e parë në zyrë, ka qenë drejtor për pagesa direkte i cili mi ka njehur ditët dhe më ka thënë se janë shtyrë edhe 180 ditë, por ne të njoftojmë përmes email-it dhe telefonit”, ka shpjeguar Roshaj.

Pas asaj here, Roshaj ka shkuar në Ministri edhe 14 herë të tjera derisa i kanë thënë se i ka ikur afati i dorëzimit të dokumenteve për tri ditë.

I zhgënjyer, Roshaj thotë se ka pasur një takim më Nuhën, i cili ia kishte dhënë një këshillë se si do të mund ta fitonte grantin përmes shantazhit.

“Tha, ‘ti u dashtë neve me na incizu. U dashtë me na incizu edhe ne s'kishim pas qare pa t'i qitë paret’”, ka vazhduar ai.

Probleme të njëjta me grante e subvencione të Ministrisë së Bujqësisë ka pasur edhe Nexhmi Hyseni nga Batllava e Podujevës.

Ai e kishte fituar një grant prej 66 mijë eurosh, ku parashihej blerja e disa traktorëve sipas karakteristikave të kërkuara nga Ministria e Bujqësisë, por ai thotë se u mashtrua pasi që traktorin që kushtonte 25 mijë euro, në grantin e saj, Ministria e kishte vlerësuar me vlerë prej 40 mijë e 500 eurosh.

Ai ka kërkuar arrestimin e ministrave të mëhershëm të Bujqësisë, Blerand Stavilecit dhe Memli Krasniqit, si dhe dorëheqjen e menjëhershme të ministrit në detyrë Besian Mustafa.

Dhjetë zyrtarë shtetërorë e dy civilë janë arrestuar të mërkurën në aksionin policor të zhvilluar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe në disa komuna lidhur me dyshimet për ryshfet në subvencionet bujqësore. Siç ka njoftuar policia, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar mbi 400 mijë euro.