Organizatat joqeveritare GAIA dhe GLPS kanë njoftuar se të premten do të paraqesin padi për konflikt administrativ kundër lejes ujore për hidrocentralin “Brezovica” në Komunën e Shtërpcës, të lëshuar nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.
Ky hidrocentral është një nga katër hidrocentralet e ndërtuara nga kompania “Matkos” në Shtërpcë. Organizatat janë ankuar se ka pasur shumë shkelje në këtë proces.
“Procedura e cila u ka paraprirë lëshimit të lejeve dhe licencave për këto 4 hidrocentrale ka qenë jotransparente dhe ka përjashtuar tërësisht publikun nga vendimmarrja. Pavarësisht kërkesave të shumta të organizatave paditëse Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk u ka dërguar dokumentet e kërkuara që kanë të bëjnë me mbajtjen e debateve të publike dhe procedurave të tjera ligjore”, thuhet në njoftim të këtyre dy organizatave. “GLPS dhe GAIA konsiderojnë se procesi që i ka paraprirë lëshimit të Lejes Ujore per HC Brezovica, si dhe lejeve/vendimeve tjera të cilat Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk ua përcjell organizatave paditëse, ka pasur shkeljet ligjore si në vijim: (i) mungesa e debatit publik apo njoftimit adekuat të publikut për të, (ii) mohimi i të drejtës së banorëve të Shtërpcës për ujë të pijshëm dhe të ujitjes, (iii) degradimi i natyrës e cila rrethon lumenjtë dhe përtej saj, si dhe (iv) ndërtimi i kundërligjshëm në zonën e mbrojtur Parku Kombëtar Sharr”.
Dy organizatat kanë thënë se synojnë të anulojnë të gjitha lejet ujore/mjedisore dhe vendimet tjera të lëshuara në këtë proces, si dhe të shtyjnë ekzekutimin e tyre derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e procesit.
-
Padi me kërkesën për anulimin e lejeve për hidrocentralin në Brezovicë
-
Kushtetuesja e kthen në Supreme për lejet ujore e mjedisore për hidrocentralet në Shtërpcë
-
Pezullohet ekzekutimi i lejes për hidrocentralin “Brezovica”
-
Kërkohet anulimi i lejeve për hidrocentralet në Brezovicë
-
Ministria e Mjedisit paditet për vazhdimin e lejeve mjedisore për hidrocentralet në Deçan