Arbëri

Sulmohet fizikisht gazetari Visar Duriqi, IKD-ja kërkon zbardhjen e rastit

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit Visar Duriqi dhe ka kërkuar hetim të shpejtë dhe profesional për të nxjerrë para drejtësisë akterët e këtij krimi.

Sipas IKD-së, sulmi fizik dhe format e kanosjes ndaj gazetarëve në Kosovë janë të papranueshme dhe të dënueshme në një vend shoqëri demokratike.

“Sulme të tilla ndaj gazetarëve janë përpjekje e drejtpërdrejtë për kufizim të lirisë së fjalës që kanë për qëllim frikësimin e gazetarëve dhe të shoqërisë për të shprehur mendimin lirshëm. Në këtë formë ndërtohet praktika e një rrugë anarkiste, ku individët mbesin më të fuqishëm sesa ligji. IKD i bën thirrje sistemit të drejtësisë, që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e këtij rasti, duke nxjerrë para drejtësisë akterët e këtij krimi, të cilët duhet të marrin dënimin meritor. IKD ua bën me dije të gjithë akterëve të përfshirë në raste të tilla kriminale se ata nuk mund të zmbrapsin asnjëherë gazetarët dhe mediat në kryerjen e detyrave në shërbim të informimit të publikut. Përkundrazi, raste të tilla, dëshmojnë se komuniteti i gazetarëve vazhdon të mbetet i përkushtuar në kryerjen e detyrave të veta, të cilat padyshim se janë pengesë e individëve dhe grupeve kriminale”, thuhet në reagim.

Ndaj sulmit ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga organet e drejtësisë që sa më shpejtë t’i hetojnë motivet e sulmit dhe ta zbardhin këtë rast, i cili në themel dëmton lirinë e shprehjes dhe medias. AGK-ja do t'i njoftojë të gjithë aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me këtë rast dhe njëherit iu bëjmë thirrje të gjithë kolegëve tanë gazetarë që t'i raportojnë kërcënimet dhe sulmet në drejtim të tyre. Çdo sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend”, thuhet në reagimin e AGK-së.