Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se aksioni i sotëm në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë është dëshmi se Kosova është thellë e zhytur në korrupsion.
Dhjetë zyrtarë shtetërorë e dy civilë janë arrestuar sot në aksionin policor të zhvilluar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe në disa komuna lidhur me dyshimet për ryshfet në subvencionet bujqësore. Rreth 400 mijë euro janë sekuestruar në këtë aksion policor, ka njoftuar Prokurori i Shtetit.
“Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson faktin se pas një periudhe relativisht të gjatë kur dukej se Prokuroria e Shtetit po kalonte nëpër një fazë të gjatë letargjie, sot ndërmori një aksion duke bastisur shumë lokacione anekënd Kosovës. Sipas deklarimeve zyrtare, gjetjet e para nga këto bastisje janë para të gatshme në vlerë prej mbi 400 mijë euro, të gjetura në shtëpitë e personave të përfshirë në rast. Këto arrestime dhe zbulimi i një shume kaq të madhe parash të gatshme në duar të individëve dëshmon edhe një herë se sa thellë është i zhytur në korrupsion Kosova dhe se sa të organizuara janë grupet kriminale të cilat fatkeqësisht kanë arritur të depërtojnë lart edhe në hierarkinë e institucioneve shtetërore. Raste të tilla janë edhe një tregues i qartë se pse Kosova në Indeksin Global të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International vazhdimisht humbet pikë duke ngelur nën mesataren globale e shumë larg mesatares evropiane në perceptimin e korrupsionit. Arrestimi i 10 zyrtarëve shtetëror për korrupsion dhe gjetja e parave të gatshme flasin qartë për mungesën e kontrollit mbi fondet shtetërore dhe mundësinë e abuzimit nga zyrtarët shtetëror për përfitime personale apo për përfitim të personave të tjerë”, thuhet nga KDI-ja, që i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që në afat sa më të shkurtër të vendos para drejtësisë personat e përfshirë. “KDI gjithashtu inkurajon qytetarët të cilët kanë qenë viktima të këtyre abuzimeve nga zyrtarë që kanë punuar në Ministrinë e Bujqësisë përkatësisht në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, t’i raportojnë abuzimet apo dëmet e shkaktuara në Prokurori të Shtetit apo Polici.