Arbëri

Mustafa për rastin e subvencioneve: Nuk kam arsye t’i iki përgjegjësisë

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka thënë se aksionet si ai i sotëm i Policisë së Kosovës ndaj disa zyrtarëve të kësaj ministrie, duhet të përjetohen si ditë të mira kur qartësohen gjërat dhe drejtësia kryen punët e saj.

Mustafa gjatë një konference për media tha se veprimet e ministrisë që udhëheq ai kanë qenë në koordinim të vazhdueshëm me organet e rendit dhe ligjit.

“Çdo gjë e kemi adresuar tek institucionet e drejtësisë. Falënderoj Prokurorinë e shtetit dhe Policinë re Kosovës dhe të gjithë do të vazhdojmë të bashkëpunojmë. Ftoj këto organe që të vazhdojnë hetimet. Aksioni si ky i sotëm duhet të përjetohen si ditë të mira kur qartësohen gjërat dhe drejtësia kryen punët e saj”, ka thënë Mustafa.

Mustafa i pyetur për mundësinë e dorëheqjes si pasojë e aksionit të sotëm tha se nuk ka asnjë arsye që t’i ikën përgjegjësisë.

“Nuk kam asnjë arsye që t’i iki përgjegjësisë pasi do ta vazhdojë bashkëpunimin tim me organet e rendit dhe ligjit deri në fund”, u shpreh ai.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka zhvilluar sot një aksion policor në disa komuna të Kosovës duke arrestuar 12 zyrtarë dhe civilë të dyshuar për marrje dhe dhënie ryshfeti në ndarjen e subvencioneve. Po ashtu, janë kryer bastisje në shtëpitë e të arrestuarve ku janë gjetur dhe sekuestruar një shumë e madhe parash dhe gjësende të tjera.