Arbëri

Haradinaj i sheh lëvizjet e VV-së si “pafuqi për t’u përballur me integrimin e veriut”

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar lëvizjet e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, pak pas zgjedhjeve të 14 shkurtit ku ajo doli fituese me mbi 47 për qind të votave, kur ende s’janë numëruar votat me postë dhe ato me kusht. Haradinaj ka kritikuar Vetëvendosjen për qasjen e saj për dialogun edhe për futjen në garën zgjedhore në Shqipëri.

Ai ka thënë se pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, Kosova pret formimin më të shpejtë të institucioneve. Këtu ka përmendur edhe përmbushjen e obligimeve, duke përfshirë dialogun e brendshëm e të jashtëm. Ka thënë se nëse bëhet dialog vetëm me përfaqësuesit minorë e pa fuqi elektorale të serbëve, siç ka paralajmëruar VV-ja, “jo vetëm se mund të jetë selektiv, por edhe sinjal i keq për karakterin unitar të Shtetit”.

Tutje ai ka kritikuar lëvizjen e VV-së për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Sipas tij, kjo shihet “si një hile dhe mundësi për të rikthyer skenarë të vjetër për ndarje”.

“E pakta kjo mund të konsiderohet si një lloj pafuqie për tu përballur me integrimin e patjetërsueshëm të veriut të vendit!”, ka përfunduar Haradinaj.

AAK-ja e Haradinajt që kandidoi për president në zgjedhjet e fundit doli e katërta në zgjedhje me 7 për qind.