6 perditesime
21:12

Gërvalla: Mustafa s’ka dhënë dorëheqje, është tentim për ta manipuluar Kuvendin e LDK-së

Ish-zyrtarja e LDK-së, Donika Gërvalla, i ka quajtur të pasinqerta dhe false ngjarjet e fundit që ndodhën në këtë parti pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Gërvalla në emisionin Desku në KTV, tha se Isa Mustafa në të vërtetë nuk ka ofruar dorëheqjen nga posti i kryetarit të LDK-së, por sipas saj, vetëm ka thënë se do t’ia ofrojë Kuvendit.

Ajo e lidh këtë me mundësinë, siç tha ajo, për të manipuluar Kuvendin e ardhshëm zgjedhor të LDK-së.

“Rezultati i 14 shkurtit për LDK-në duhet të kishte çuar në një reagim shumë të shpejt të Kryesisë, pra duke filluar nga Isa Mustafa, kryetarët e degëve, komplet kryesia. Duhet të ishin tërhequr po atë ditë për të dërguar sinjalin e qartë. Mustafa nuk ka dhënë dorëheqje, ai ka thënë që në kuvendin e ardhshëm do të ofrojë dorëheqjen. Pse ndodh kjo, sepse nuk duan ta japin nga dora mundësinë për ta manipuluar kuvendin e ardhshëm zgjedhor. I sinqertë do të kishte qenë ky hap, do të duhej të tërhiqeshin të gjithë, të formohej një grup punues, të përgatiste kuvendin e ardhshëm dhe nga kjo do të vinin rezultatet. Ajo që ka ndodhur është një tentim për mashtrim, për t’i instaluar personat për të cilët janë të bindur që nuk kanë për të pasur asnjë reagim. Unë mendoj që ata kanë qenë të detyruar të bëjnë një reagim, por ka qenë shumë i pasinqertë”, ka thënë Gërvalla që nëpërmjet Listës Vjosa kandidoi për deputete me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ajo tha se nuk ka hapësirë për kthim të saj dhe të tjerëve që u larguan në LDK.

20:53

“Beogradi nuk ka gatishmëri të bashkëpunojë me Gjermaninë për zbardhjen e vrasjes së Jusuf Gërvallës”

Donika Gërvalla në KTV ka folur mbi vrasjen e babait të saj, veprimtarit Jusuf Gërvallës. Ajo thotë se edhe pse dihet se kush dha urdhrin për vrasjen e tij, institucionet gjermane janë treguar të paafta për ta zgjidhur këtë çështje që kishte ndodhur pikërisht në Gjermani 39 vjet më parë.

Ajo ka thënë se rastet e tilla të vrasjes nga Serbia dhe të zhdukurit gjatë luftës janë pika kyçe përmes së cilave duhet hyrë në dialog me Serbinë.

“Urdhri është dhënë nga Beogradi dhe institucionet gjermane janë të paafta ta sqarojnë deri në fund çështjen pa bashkëpunim të Beogradit dhe Beogradi nuk ka asnjë gatishmëri për këtë rast. Kjo dhe tema të tilla, çështja e të zhdukurve, si mund të hyjmë në dialog pa e shtruar çështjen e të zhdukurve”, tha ajo.

Gërvalla ka thënë se Kosova duhet të kërkoj ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë për të kërkuar nga Serbia të dhëna për të zhdukurit dhe për të dënuar ata që kryen krimet.

“Po të pyetesha unë, do propozoja që në raport me partnerët tanë të hapim të gjitha letrat dhe të themi se kemi nevojë për ndihmën tuaj, kemi disa plagë të hapura. Nuk janë krime që janë kryer para 150 vjetëve por krime që janë kryer nga njerëz që sot gëzojnë poste të larta në Serbi. Ne kemi nevojë patjetër që partnerët tanë të na ndihmojnë të gjejmë zgjidhje të pranueshme për qytetarët tanë”, ka thënë Gërvalla.

20:46

Gërvalla: Nëse LDK-ja ka qëndruar në sallë që Thaçi të bëhet president, pse të mos qëndrojë për Osmanin

Kandidatja për deputete nga radhët e Listës Vjosa, Donika Gërvalla, është e bindur se Vjosa Osmani do të jetë presidente e ardhshme e Kosovës.

Ajo ka thënë se nuk ka asnjë indikacion se në sallë nuk do të jenë të pranishëm 80 deputetë në momentin kur votohet për presidenten.

Ajo ka thënë se nëse LDK-ja ka qëndruar në sallë kur Hashim Thaçi është zgjedhur president, atëherë nuk mund ta arsyetojë largimin nga seanca ku zgjidhet Vjosa Osmani presidente.

“Vjosa Osmani do të jetë presidente, jam e bindur për këtë. Nuk kemi indikacion që 80 veta nuk do të jenë të pranishëm në sallë atë ditë që zgjidhet presidenti. Nuk kemi asnjë tregues serioz që na thotë se partitë që i kanë humbur zgjedhjet e kanë luksin ta bojkotojnë atë seancë. Jam e sigurt se presidentja do të zgjidhet. Nuk mendoj se të paktën LDK-ja, sado që ka humbur rëndë në këto zgjedhje, nuk do të jetë prezente në seancë. Është parti që e quan veten parti institucionaliste. Dhe e ka bërë fushatën me sloganin ‘shteti shtet’. E nëse LDK-ja ka qëndruar në sallë që Hashim Thaçi të bëhet president, një njeri problematik e me pasoja të rënda politike për vendin tonë, që i kemi parë në kohët e fundit, atëherë nuk mendoj se LDK-ja në ndonjë mënyrë para votuesve të vet, sado pak që i kanë mbetur, mund ta arsyetojë largimin nga seanca në të cilën zgjidhet presidente Vjosa Osmani”, ka thënë Gërvalla në DESKUN e KOHËS, e cila ka shtuar se pret nga partitë humbëse të zgjedhjeve të bëjnë një opozitë të fortë.

20:36

Gërvalla: Nuk do të kemi ministra nga Lista Serbe

Donika Gërvalla nga Lista Vjosa thotë se në Qeverinë Kurti nuk do të ketë ministra nga Lista Serbe, që sipas saj, janë përfaqësues të Beogradit. Ajo thotë se ministrat serbë që do të qeverisin me VV-në sipas Kushtetutës së Kosovës, do të jenë përfaqësues të komunitetit serb dhe jo të Serbisë.

“Lista serbe nuk do të jetë pjesë e qeverisë Kurti. Pjesë do të jenë pakicat joserbe dhe qeveria në bazë të Kushtetutës ka nevojë për përfaqësimin serb në sektorë të caktuar dhe në bazë të bisedave do ketë përfaqësues serbë por jo përfaqësues të Beogradit. Ai ministër nuk do të jetë nga Lista Serbe, do të jetë përfaqësues i komunitet serb të Kosovës dhe jo përfaqësues i Beogradit”, tha ajo në DESKU.

Gërvalla tha se qasja e Kosovës ndaj serbëve në vend duhet të ndryshojë, përndryshe nuk do të zgjidhet çështja mes dy shteteve fqinje.

“Duhet të jemi të qartë se bisedimet tona me Serbinë duhet të gjejnë zgjidhje në marrëdhëniet e fqinjësisë por jo zgjidhjen në marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me qytetarët e saj serbë. Serbët e Kosovës duhet të trajtohen si qytetarë tanë. Duhet të ndërrojmë qasjen ndaj serbëve të Kosovës dhe ndaj Beogradit”, tha Gërvalla.

20:33

Gërvalla: Para se të hyjmë në bisedime me Serbinë duhen përgatitje me partnerët

Donika Gërvalla, kandidatja për deputete nga Lista e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurtit, thotë se nuk është mirë që qeveria e re direkt të futet në bisedime me Serbinë.

Gërvalla në një intervistë në Deskun e KOHËS, tha se fillimisht duhet të kryen disa përgatitje me partnerët e Kosovës.

“Hyrja në dialog në këtë stad që jemi sot, me mëkatet që kanë bërë qeveritë e mëparshme në bisedimet me Serbinë, vendin tonë do ta nxirrnin para sfidave të papërballueshme. Para se të hyjmë në dialog me Serbinë duhet të bisedojmë me partnerët tanë ndërkombëtare, atyre duhet u shpjegojmë ku jemi, cilat janë pritjet, çfarë jemi të gatshëm të marrim përsipër, çfarë mund të pranojmë. Pa e kryer këtë fazë përgatitore me partnerët tanë, me Gjermaninë e SHBA-në nuk mund të bëhet kjo. Më habit fakti se si duke i pasur Gjermaninë e SHBA-në, Kosova gjithmonë të dalë humbëse”, ka thënë ish-zyrtarja e LDK-së.

20:31

Gërvalla: Qytetari shumë shpejt do ta vërejë sundimin e ligjit

Kandidatja për deputete nga Lista Vjosa, Donika Gërvalla, ka thënë se luftimi i krimit e korrupsionit është pika kryesore që i ka bashkuar me Lëvizjen Vetëvendosje në një listë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ajo ka thënë se qytetarët shumë shpejt do ta vërejnë sundimin e ligjit në Kosovë me ardhjen e Qeverisë së re në pushtet.

“Mandatin e kemi marrë kryesisht për një detyrë, është detyra ta çlirojmë shtetin nga krimi e korrupsioni. Është problemi kryesor që e mban këtë vend të stagnuar. Kjo temë na ka bashkuar në këtë iniciativë të përbashkët. Në thelb është e thjeshtë, vendosja e shtetit ligjor, ligji mbi të gjitha, i aplikueshëm për secilin qytetar, por jo vetëm qytetar, por edhe secilin funksionuar. Largimi nga institucionet shtetërore të atyre që e kanë keqpërdorur shtetin gjatë gjithë këtyre viteve. Dënimi i personave që e kanë shpërdoruar detyrën e tyre zyrtare. Mendoj për dallim nga fushat tjera, ndryshimet në këtë pikë do të vërehen shpejt. Sundimin e rendit dhe ligjit do ta vërejnë qytetarët shumë shpejt. Do ta shohin që kjo Qeveri është e përkushtuar pikërisht në këtë pikë”, ka thënë Gërvalla për DESKUN e KOHËS.

20:18

Gërvalla: Në zgjedhjet komunale Lista Vjosa hyn si subjekt politik

Donika Gërvalla kandidate për deputete nga iniciativa e Vjosa Osmanit, ka thënë se në zgjedhjet komunale do të garojnë si subjekt politik.

Ajo insiston se iniciativa e nisur nga Osmani do të vazhdojë si subjekt në vete, duke mos lënë mundësi që kjo iniciativë mund të shkrihet në një parti në Lëvizjen Vetëvendosje.

Në DESKU të KTV-së, Gërvalla tha se do ta legalizojnë çështjen e listës së tyre për të vendosur nëse do të vazhdojnë si iniciativë apo si parti politike.

“Kemi një pajtim se do ta legalizojmë çështjen e listës sonë, që fillimisht ka hyrë vetëm si listë votuese por do shndërrohet si subjekt i mirëfilltë, a do mbetet iniciativë apo parti politike do vendoset më tej sepse janë disa aspekte teknike që duhet t’i vlerësojmë. Vendimin e kemi marrë që do hymë si subjekt politik i mirëfilltë në zgjedhjet e ardhshme komunale”, ka thënë Gërvalla.