Arbëri

Shoqëria civile kritikon heshtjen lidhur me dyshimet për manipulim të votave nga Lista Serbe

Ndërhyrje të Serbisë në zgjedhjet e 14 shkurtit është duke i cilësuar një grup i organizatave të shoqërisë civile dyshimet për manipulim të votave e të cilat mund të ndikojnë që Lista Serbe të ketë më shumë se 10 mandate në Kuvend.

Përmes një reagimi të përbashkët, 47 organizata joqeveritare kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës e ambasadat e huaja në Kosovë që të kërkojnë hetim të rastit e mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

“Duke ditur lidhjen e hapur me institucionet e Serbisë të subjektit që dyshohet se e ka bërë këtë orkestrim, mund të thuhet pa asnjë hezitim se kjo është ndërhyrje e një shteti tjetër në zgjedhjet e Kosovës. Në rrethana të ngjashme, kur shtete të tjera kanë ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve anëtare të BE-së apo dhe të ShBA-së, ka pasur hetime shumështresore institucionale dhe dënim publik të ndërhyrjeve. Në Kosovë ka vetëm heshtje. Ne, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, besojmë se të gjitha komunitetet në Kosovë duhet të gëzojnë të drejta të barabarta. Ne besojmë se edhe komuniteti boshnjak dhe ai rom janë me rëndësi, siç janë me rëndësi të gjitha komunitetet e tjera, pavarësisht faktit që janë në numër shumë më të vogël”, thuhet në reagimin e organizatave të shoqërisë civile.

Hetim nga institucionet përgjegjëse lidhur me votat e dyshimta ka kërkuar edhe koalicioni i organizatave “Demokraci në Veprim.

“DnV kërkon trajtimin e këtij fenomeni nga organet kompetente, në mënyrë që i njëjti të mos shndërrohet në normë dhe precedent për subjektet e mëdha politike, që do të mund të krijonin subjekte “satelite” tek komunitetet, duke tjetërsuar vullnetin e vërtetë të qytetarëve të komuniteteve përkatëse e që do të minonte edhe arsyen e ekzistimit të ulëseve të garantuara”, thuhet në kërkesën e “Demokracisë në Veprim”.

Në rast se dyshimet e ngritura vërtetohen, sipas Albert Krasniqit, nga “Demokraci Plus”, votimi në komunat ku ka pasur manipulime duhet të anulohet.

“Do duhej që Prokuroria e shtetit t’i hetojë këto pretendime të cilat po bëhet nga partitë politike por edhe OJQ që përfaqësojnë interesat e komuniteteve dhe nëse të njëjtat provohen do duhej që të anulohen zgjedhjet në këto vendvotime ku shihet ku ka pasur manipulim ose të kërkohet përsëritja e votimit në këto komuna në mënyrë që vullneti i qytetarëve të jetë i padeformuar dhe përfaqësimi i komuniteteve të jetë efektiv”, ka thënë Albert Krasniqi, hulumtues në “Demokraci Plus”.

Me arsyetimin se mund të dëmtohen hetimet, koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, përmes një njoftimi për media, nuk ka dhënë shumë detaje lidhur me rastet që janë duke u hetuar.

Derisa ka bërë të ditur se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për të gjitha rastet që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.

Në mesin e rasteve të cilat janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale, janë edhe votat e ardhura nga diaspora. Ato janë ende në proces të verifikimit nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.

“Sipas të dhënave më të fundit janë hapur 25 mijë e 153 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 29 mijë e 87 zarfe me fletëvotime dhe 11 mijë e 840 zarfe të refuzuara”, ka deklaruar Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Elezi tutje ka bërë të ditur se deri pasditen e së martës ka përfunduar procesi i rinumërimit të 76 vendvotimeve, nga 494 sa është numri i përgjithshëm i atyre që do të rinumërohen për shkak të bartjes së gabuar të votave në formularët e subjekteve politike.