Arbëri

18 persona aplikojnë si viktima kundër ish-eprorëve të UÇK-së, një pjesë e tyre shqiptarë

18 persona kanë aplikuar për të marrë pjesë si viktima në gjykimin kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka rekomanduar gjyqtarit të procedurës paraprake që nga të gjitha aplikimet të mos e pranojë vetëm njërën nga to.

5 viktima, sipas dokumentit, janë të etnisë serbe.

“Aplikantët me pseudonime Viktima-01/06, Viktima-02/06, Viktima-03/06, Viktima 04/06 dhe Viktima-05/06 janë të përkatësisë etnike serbe dhe pretendojnë të jenë viktima të drejtpërdrejta të rrëmbimit, torturës, ndalimit të paligjshëm dhe trajtimit mizor, në të njëjtin vend të ndalimit të listuar në aktakuzën e konfirmuar, brenda periudhës së akuzës dhe se pretendojnë se kanë pësuar dëmtime fizike, mendore dhe materiale si pasojë e këtyre krimeve”.

Vetëm njëri nga ta sipas dokumentit ka paraqitur dëshmi për dëmin që pretendojnë që e kanë pësuar nga katërshja kosovare e akuzuar.

Me pseudonim 06-O6 ka aplikuar për viktimë një qytetar i etnisë shqiptare.

“Parashtruesi Viktima-06/06 është i përkatësisë etnike shqiptare dhe pretendon se ishte qëlluar në vitin 1997 nga UÇK-ja dhe ka pësuar dëmtime fizike dhe mendore si pasojë dhe thuhet se ky aplikant është i vetmi aplikant në këtë raport që nuk rekomandohet për pranim si viktimë pjesëmarrëse (Grupi B)”.

Një tjetër aplikant serb ka thënë së është viktimë direkte e katërshes. Si prova për dëmin sipas raportit ka dorëzuar certifikata mjekësore dhe fotografi që pretendon të dëshmojnë shkatërrimin e pasurisë.

Në këtë shkresë të Speciales janë të shpjeguar edhe disa nga aplikantët për të marrë statusin e viktimave që shumica nga ta janë serbë.

Megjithatë, dokumenti shpjegon në pika të shkurtra edhe rrëfimet e shqiptarëve të cilët kanë aplikuar për të marrë pjesë në këtë cilësi në këtë gjykim.

“Aplikantët Viktima-09/06, Viktima-10/06 dhe Viktima-11/06 janë të përkatësisë etnike shqiptare dhe pretendojnë të jenë viktima indirekte, anëtarë të së njëjtës familje, burri / babai i të cilëve u ndalua nga UÇK-ja brenda periudhës së akuzës në territorin të Kosovës”.

Sipas dokumentit, familja u informua për arrestimin e tij, por rrethanat e zhdukjes së tij dhe fati i tij mbesin të panjohura dhe ankuesit pretendojnë se kanë pësuar dëmtim mendor. Thuhet se ata nuk paraqitën asnjë dokumentacion mbështetës për dëmin.

Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi janë në pritje të fillimit të gjykimit. Ata po akuzohen për krime lufte, ndërsa në paraburgim janë duke u mbajtur që nga nëntori i vitit të kaluar.