Partia Liberale Egjiptiane (PLE) ka ngritur shqetësimin për atë që ka ndodhur me votat e pakicave, kryesisht në komunat me shumicë serbe dhe ka ftuar misionet diplomatike dhe institucionet vendase të reagojnë.
Kryetari i PLE-së, Veton Berisha, përmes një komunikate ka thënë se iniciativa që mund të marrë deputetin e rezervuar për egjiptianët, “Romani Iniciyativa”, është produkt i Listës Serbe, që kontrollohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Njëjtë, kanë akuzuar Listën Serbe edhe dy parti boshnjake, SDU dhe NDS, sipas të cilave, Lista Serbe ka krijuar iniciativa fantome boshnjake për të marrë ulëset e rezervuara për këtë komunitet. Dy partitë boshnjake i janë referuar iniciativës së Adrian Hoxhiqit, që ka marrë shumicën e votave në komunat me shumicë serbe, ku nuk ka shumë boshnjakë.
Kreu i PLE-së, Berisha thotë se e njëjta strategji është ndjekur edhe me komunitetin që ai përfaqëson.
“Partia Liberale Egjiptiane (PLE) është informuar nga mediumet për një version të ri politik, i cili dirigjohet nga subjekti politik ‘Lista Serbe’ se kinse janë formuar dy subjekte politike të komuniteteve joshumicë të cilat janë nën kontrollin e këtij subjekti politik. Fillimisht, PLE e ka konsideruar këtë informatë si formë e fushatës parazgjedhore, por pas rezultateve zgjedhore të publikuara nga KQZ në disa komuna të Kosovës, vërehet qartë se Subjekti Politik ‘Romani Iniciyativa’ është produkt i ‘Listës Serbe’, sepse ky subjekt politik ka marrë një numër të madh të votave në vendbanime ku nuk jeton fare komuniteti rom”, thuhet në komunikatë.
PLE-ja këtë e vlerëson shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe votës së lirë.
“Prandaj PLE fton misionet diplomatike, subjektet politike dhe organet e tjera të drejtësisë që të reagojnë ndaj kësaj padrejtësie sepse nëse tani nuk do të reagohet, kjo praktikë do të bëhet në të ardhmen precedent i rrezikshëm, i cili do të cenojë të drejtën e votës së lirë të qytetarëve. PLE-ja do të presë deri në rezultatet përfundimtare dhe pas publikimeve të tyre, do të ndërmerr veprime të tjera procedurale sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në komunikatën e firmosur nga Berisha.
“Romani Iniciyativa”, sipas rezultateve preliminare, ka marrë 3.827 vota, ndërkohë PLE-ja 2.199.
Njëjtë edhe te komuniteti boshnjak prin iniciativa e Hoxhiqit ndaj partive tjera boshnjake. Iniciativa e Hoxhiqit ka marrë 6.379. Për komunitetin boshnjak janë të rezervuara tri ulëse në parlamentin e Kosovës.