3 perditesime

Kandidati i Aleancës Kosova e Re për deputet, Flamur Sefaj, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kjo parti pret që në zgjedhjet e 14 shkurtit të ketë fituar të paktën tri ulëse nga lista e përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

23:30

AKR-ja e sheh fitoren e thellë të VV-së leksion për partitë tradicionale

Si leksion i mirë për të gjitha partitë tradicionale në Kosovë duhet të shihet fitorja e thellë e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka vlerësuar Flamur Sefaj i Aleancës Kosova e Re.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se rënia e partive të vjetra, përfshirë LDK-në me të cilën listë garoi edhe AKR-ja, tregon që ka ardhur momenti për reformim.

“Ky është një leksion i mirë për të gjithë ne që konsiderohemi parti tradicionale të Kosovës. Kjo po tregon që ka ardhur një moment që duhet të bëhet një lloj renovimi, evoluimi, brenda subjekteve politike”, ka thënë ai.

Për AKR-në ka thënë se kjo duhet të shërbejë për ndryshim të “veprimit në terren, komunikimit me qytetarët, propozimin e ideve”.

“S’mund të jetë më siç ka qenë deri tash”, ka deklaruar ai.

23:15

Sefaj tregon nëse AKR-ja do të futet në koalicion me VV-në

Flamur Sefaj nga AKR ka thënë se është herët të flitet se cili do të jetë roli konkret në Kuvend. Megjithatë u shpreh se nëse Vetëvendosjes do t’u duhen votat për formimin e qeverisë, kjo parti do të kontribuojë në favor të saj.

“Është herët të thuhet diçka. Ne jemi në koalicion me LDK-në, kemi garuar me një listë, i përmbahemi principeve tona. Nëse shohim se një gjë e tillë do mungoj për formimin e qeverisë, ne do ta japim kontributin tonë por në konsultim me partnerët, edhe LDK-në”, tha ai.

Zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilat nxorën VV-në parti fituese, Sefaj thotë se janë mësim për partitë tjera.

“Kjo që ndodhi është mësim i mirë për partitë tradicionale, u pa që VV ka punuar mirë. Besojmë se do qeverisin mirë, si parti jemi parti e kompromisit. Ata që do kenë propozime të mira për qytetarët do kenë edhe përkrahjen tonë”, tha ai në Interaktiv.

23:13

Sefaj: Po mbledhim faktet për keqpërdorim

Flamur Sefaj nga radhët e AKR-së ka thënë se janë duke mbledhur faktet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave dhe se po i mbledhin të dhënat e po i përgatisin ankesat.

AKR-ja ka kërkuar të rinumërohen votat, pasi pretendon se ka pasur keqpërdorime në numërimin e votave të deputetëve.

“Nëse e marrim procesin nga fillimi, mund të themi se çdo gjë ka shkuar mirë, e është organizuar mirë nga KQZ-ja, e pjesëmarrja ka qenë mjaft e madhe, kanë dalë shumë qytetarë për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre të votimit. Gjithmonë edhe në të kaluarën edhe tash, arrijmë në një moment kur hapet mundësia të bëhen disa keqpërdorime e deformime në listën e një subjekti politik. Kur po numërohen votat e subjektit po është në rregull, por kur po numërohen votat e kandidatëve, nganjëherë po kemi keqpërdorime e besoj se janë të qëllimshme. Ky është fenomen negativ, pasi nuk reflekton votën reale të qytetarit dhe është kërcënim ndaj demokracisë sonë”, ka thënë Sefaj në Interaktiv të KTV-së. “Ne po mbledhim të dhënat dhe jemi duke përgatitur ankesat, e do t’i drejtohemi organeve përkatëse. Konsiderojmë se është vepër e rëndë penale, e cenon demokracinë, të drejtën e një qytetari për të deleguar një person në Kuvend. Nuk ka arsye pse votat e një personi t’i transferohen një personi tjetër apo që një komisioner të përcaktojë fatin e shtetit tonë. Kjo po merr kuptimin e një rivotimi të dytë”.

Ai kanë disa dëshmi se po u mungojnë votat deputetëve të tyre. Ai ka thënë se do të mblidhen faktet që të mos dështojnë ankesat.

23:08

AKR-ja pret të marrë minimum 3 deputetë në listën e LDK-së

Kandidati i Aleancës Kosova e Re për deputet, Flamur Sefaj, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kjo parti pret që në zgjedhjet e 14 shkurtit të ketë fituar të paktën tri ulëse nga lista e përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

AKR-ja sot kërkoi rinumërim duke akuzuar komisionarët për keqpërdorime në numërim të votave për kandidatët. Në Interaktiv, Sefaj ka thënë se në numërim të votave për partinë s’ka pasur probleme, por kanë hasur në “probleme të qëllimshme” te numërimi i kandidatëve.

“Jemi të pozicionuar mjaft mirë, por jemi të brengosur pak nga disa deformime dhe keqpërdorime që po bëhen nga komisionerë të ndryshëm, në veçanti brenda listës ku ne po garojmë. Duke pas parasysh se e gjithë kjo po ndodh dhe për të cilën kemi ngritur çështjen është vështirë të thuhet, por minimum 3 deputetë, maksimum 6. Po që se marrim procesin nga fillimi gjithçka ka shkuar mirë dhe pjesëmarrja ka qenë mjaft e madhe e qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar. Por gjithmonë arrijmë në një moment kur hapet oportuniteti dhe mundësia që të bëhen disa keqpërdorime, deformime, në listat e një subjekti politik, sepse kur po numërohen votat e subjektit po është në rregull, por kur po duhet të numërohen votat e kandidatëve, aty nganjëherë kemi keqpërdorime, besoj të qëllimshme dhe kjo është fenomen negativ sepse nuk e reflekton votën reale të qytetarit dhe është kërcënim për demokracinë tonë”, ka thënë ai.

Bazuar në rezultatet preliminare, lista e LDK-së me AKR-në do të marrë 15 ulëse në Kuvend.