Arbëri

Bislimi: Podujeva më 2020 ishte shembulli se kemi një defekt në LDK

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Faton Bislimi, ka thënë se nga ajo që është parë në terren gjatë fushatës u ka dhënë shpresë të madhe, porse kjo nuk është përkthyer në vota në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai në Express Intervistën e KTV-së ka thënë se nuk ka pasur as indikacionin më të vogël për rezultatin e 14 shkurtit.

Bislimi ka shtuar se LDK-ja ka mundësi të mirë për rikthimin e elektoratit gjatë kësaj periudhe sa do të qëndrojë në opozitë.

LDK-ja, bazuar në votat e rregullta, pra pa ato të diasporës dhe me kusht, ka dal e treta pas PDK-së dhe VV-së si fituese.

“Unë kam kërkuar një ribrendim të LDK-së menjëherë pas rezultatit të Podujevës. Zgjedhjet e 29 nëntorit 2020 për mua ishin jo vetëm indikator, por edhe alarm i zëshëm se rruga në të cilën jemi nuk na sjell fitore. Podujeva ishte shembull i mirë me na tregu se e kemi një defekt. Ne duhet të ecim në konditat që na kërkon elektorati dhe nëse votuesit nuk e duan dikë, ne duhet të reflektojmë. Përveç meje ka pasur edhe zëra tjerë për ribrendim të partisë, por ndoshta s’e kemi pasur fuqinë që të mbërrijmë deri te vendi i duhur”, ka thënë ai.

Bislimi ka thënë se në parti nuk ka konflikt mes gjeneratash. Ai shtoi se sa i përket konceptit politik ka dallime. Si parti, ai ka thënë se ka pasur shkëputje me mërgatën. Ka thënë se asnjë mërgimtar nuk është kthyer mbrapa për shkak të testit PCR, kusht të cilin e ka vënë Qeveria për futje në vend.

“Ajo që mund ta them është se i vetmi emër i pazëvendësueshëm në LDK është emri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova. Të gjithë emrat tjerë janë vënë në pah për shkak se kështu ka dashur LDK-ja, dhe nuk janë të pazëvendësueshëm. LDK-ja ka qenë gjithmonë e hapur për njerëzit që besojnë në kauzën e partisë. E për këtë, unë nuk do të bëja kompromis, sepse ka njerëz që kanë humbur edhe jetën për këtë kauzë”, ka thënë ai.