Të mërkurën Vetëvendosje e kishte rezervuar për fushatë në qytetin e dytë më të madh në Kosovë.
Në sheshin Shadërvan të Prizrenit, Vjosa Osmani e Albin Kurti u priten me kafe. Atë e refuzoi bashkëshortja e tij.
Ne Prizren përveç qytetarëve të shumtë, Kurtin e Osmanin kishin dalë ta përkrahnin edhe dy krerët e partive shqiptare në Maqedoni, Ziadin Sela e Afrim Gashi, të cilët u uruan që ta fitojnë shumicën parlamentare në zgjedhje.
“Shpresojmë që të ndodhë pikërisht ajo që thatë ju, që ky referendum që e kemi më 14 shkurt të arrijë ta ndërtojë një shumicë parlamentare”, ka thënë Osmani.
Mbështetja e Selës dhe e Gashit e shtyri kandidatin për kryeministër që të jepte një premtim.
“Do të fillojmë përgatitjet e projektit që lidh Prizrenin me Tetovën me tunel. Sepse, siç thuhet, Prizreni e Tetova lart në qiell kanë qenë një qytet, por kur kanë rënë në tokë malet e Sharrit i kanë bërë dy, e tash ne duhet t’i lidhim ato”, ka thënë Kurti.
Për tubimin e njerëzve në kundërshtim me ligjin antiCOVID Kurti bëri një shfajësim.
“I falënderojmë qytetarët që ecjen tonë po e shndërrojnë në një tubim, ndonëse ne nuk e kemi ftuar për të tillë”, ka thënë Kurti.
Në Prizren, Osmani e Kurti morën lule, të cilave qe pak e vështirë që t’iu ndihet edhe aroma.
Pas Prizrenit, të dy kandidatët fushatë zhvilluan edhe në Klinë.
Para shtatores së Mujë Krasniqit, ku edhe i mbajtën fjalimet, Osmani ua dha një përgjigje atyre që po e kritikojnë fushatën e Vetëvendosjes me simbole të kuqe.
"Ka filluar të ju pengojë edhe ngjyra e kuqe, ngjyra e dashurisë”, ka thënë ai.
E Kurti u zotua se do t’i krijojë mundësitë për t’u ofruar qasje më të lehtë në financa ndërmarrësve, fermerëve, zejtarëve, industrialistëve e tregtarëve.
“Me qeverisjen tonë do të kemi bankë zhvillimore me kredi të buta e afatgjate në mënyrë që të mos vije puna sikur tani, kur duhet filluar t'ia paguash kamatën bankës ende pa ia pa hajrin fitimit”, ka thënë ai.
Kurti premtoi edhe Vetting në drejtësi, ndërsa garantoi se Qeveria e tij do të jetë profesioniste, e ndershme dhe e guximshme.