Arbëri

Kronika zgjedhore / Limaj: Partitë e tjera po e kopjojnë fushatën tonë

Gjakova ishte qyteti i radhës ku Nisma Socialdemokrate ka kërkuar të martën vota për zgjedhjet e 14 shkurtit. Në një sallë të vogël, përplot me njerëz, kandidati për kryeministër i kësaj partie, Fatmir Limaj, ka thënë se partitë e tjera politike kanë filluar t’ia kopjojnë fushatën.

"Partitë e tjera kanë agjenda dhe fushatë tjetër, por kohëve të fundit kanë filluar të na kopjojnë dhe këtë e pranojmë, se e kaluara dhe e tashmja është e vërteta jonë dhe mbi atë është ndërtuar shteti ynë", ka thënë ai.

Gjatë këtij tubimi, ai e ka kërkuar votën e gjakovarëve, duke iu premtuar se zëri i tyre do të përfaqësohet më së miri nga kandidatët e Nismës nga Dukagjini.

“Besimi u jepet atyre që kanë ndarë fatin me ju, e ju i keni kandidatët që kanë ndarë fatin me ju, e unë ju ftoj të mbështesni këta burra e gra në zgjedhjet e 14 shkurtit”, ka thënë Limaj.

As kësaj radhe, Limaj nuk i ka lënë anash akuzat ndaj partive të tjera.

“Sot dalin në rrugë të Gjakovës e Kosovës, se kur kishin nevojë për ta, i shikonin vuajtjet nga televizori. Si mund ta duan ata më shumë vendin e tyre sesa mijëra e mijëra njerëz të Dukagjinit”, ka thënë tutje ai.

Sipas bartësit të listës së Nismës, qytetarëve të asaj ane u duhet siguri.

“Fushata elektorale nuk është një garë, një ndeshje futbolli, është më tepër se kaq. Më 14 shkurt ka një garë tjetër se kujt do t’ia besoni përfaqësimin në Parlament. Qytetarët e Kosovës dhe të Dukagjinit duhet ta kenë sigurinë e këtij shteti. I gjithë Dukagjini e Kosova presin që të zbardhet fati i të pagjeturve. Ata që janë lodhur për 20 vjet, duhet me ardhë në Gjakovë për të parë se Gjakova ka ende plagë dhe nuk janë shëruar ende”, ka theksuar ai.

Të pranishmëve në këtë tubim u është drejtuar edhe kryetari i Nismës në këtë qytet, Fazli Hoxha. Ai ka thënë se partia e tij synon ndryshimin e Ligjit për Veteranët e UÇK-së.

Në tubim, Hoxha ka thënë se Nisma do ta bëjë ndryshimin, në mënyrë që të gjithë veteranët të mund të punojnë dhe njëkohësisht ta marrin pensionin e veteranit.

“Në programin e Nismës, qytetarët do të jenë në plan të parë. Programi do të bëhet për të gjithë sektorët, por ajo që do të jetë me shumë rëndësi është ndryshimi i Ligjit për Veteranët e luftës. Ne ju premtojmë se me Nismën do të bëhet ndryshimi, dhe të gjithë veteranët do të kenë mundësinë edhe të kenë pension, e edhe të punojnë”, ka thënë ai.

As në këtë tubim nuk janë respektuar masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Pas fjalimeve, janë prezantuar edhe kandidatët për deputetë nga ana e Dukagjinit. Limaj pas Gjakovës, fushatën e ka vazhduar edhe në disa fshatra të Skenderajt, por kësaj radhe pa praninë e mediave. Ndërsa gjatë ditës së mërkurë, Limaj pritet të mbajë tubim para bashkëvendasëve të vet, në Malishevë.