Edhe në Mitrovicë kandidati për kryeministër i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë fushatë me vlerat e luftës. Ai ka mbajtur fjalim të ngjashëm me ditët e kaluara duke i akuzuar kandidatët e partive të tjera se po tentojnë ta zbehin të kaluarën e Kosovës e që, sipas tij, Nisma me sloganin “Çlirimtarët” do ta mbrojnë.
“Tash e një kohë po tentohet të zbehet e kaluara jonë, e vërteta jonë që ka mundësuar popullin tonë të jetë i pavarur dhe i lirë. Duke tentuar të zbehin të kaluarën tonë po tentojnë të ndryshojnë argumentet”, ka deklaruar Limaj.
Në këtë tubim, ku po merrnin pjesë dhjetëra simpatizantë nga kjo anë, Limaj shtoi se Mitrovica është vendi që reflekton sfidat e mëdha të luftës. Sipas tij, Kosovës i duhen njerëz me eksperiencë për të rrumbullakosur shtetësinë e Kosovës.
“Sot jemi 20 vjet pas. Të lirë dhe të pavarur, por me shumë telashe e sfida, e sfidat më të mëdha reflektohen më së shumti në këtë qytet ku jemi sot. Ende janë shenjat e robërisë në këtë vend të Kosovës. Duhet ardhur në Mitrovicë për të parë se ende asgjë nuk ka përfunduar se duhet një shtet i organizuar. Se duhen njerëz me dinjitet dhe vendosmëri. Se duhet siguri, se duhen burra e gra me eksperiencë e përvojë, të urtë e të gatshëm për të rrumbullakuar shtetësinë tonë”, ka deklaruar Limaj.
Premtimet e Limajt në shkëmbim të votës ishin më të veçanta për qytetarët e Mitrovicës.
“Ju ftoj e ju kërkoj të na mbështetni e të na jepni besimin, sepse ne jemi atje për t’ju garantuar dhe shëruar plagët tuaja dhe të vërtetën tuaj. Ju siguroj se me këta kandidatë do të jemi zëdhënës dhe mbështetës të fuqishëm të zërit dhe shqetësimit tuaj”, tha ai.
Gjatë kësaj fushate u prezantuan edhe kandidatët për deputetë nga kjo anë, Hysni Ahmeti dhe Shqyeri Peci.
Fushata u vazhdua edhe në Komunën e Vushtrrisë, ku edhe nga qytetarët e saj u kërkua besimi për mbështetjen e Nismës në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Limaj gjatë këtij tubimi tha se nga takimet që ka pasur në fshatrat e Vushtrrisë është bindur edhe më shumë për kauzën e mbrojtjes së vlerave njerëzore dhe kombëtare.
“Kam pasur fatin këto ditë të takohesha me shumë bashkëluftëtarë të mi. Me shumë të rinj, pleq e gra të vendit tuaj. Tek të gjithë ata kam parë një shqetësim, një shqetësim që për ne është kthyer në kauzë. Prandaj, nga kjo gjë jemi bindur edhe më shumë se kemi bërë mirë që kemi ardhur në përfundim se sa të drejtë kemi pasur që kemi dalë në këtë kauzë”, ka thënë Limaj.
As këtu nuk i ka lënë anash akuzat ndaj partive të tjera, kësaj radhe për Vetëvendosjen.
“Kemi edhe rrymën tjetër që mohojnë krejt çka ka ndodhur në Kosovë. Ata thonë se deri tani Kosova ka jetuar në terr apo errësirë dhe drita ka ardhur kur i kanë fituar zgjedhjet. Për ta Kosova ka qenë në terr. Çdo gjë para tyre ka qenë errësirë. Sipas tyre, drita ka ardhur vetëm me ardhjen e tyre në pushtet nga 6 tetori i 2019”, ka shtuar ai.
Ai ka theksuar se errësira në Kosovë ka përfunduar në vitin 1999.
“E unë them se errësira është larguar në vitin 1999, me ushtarin e fundit që ka rënë për liri. Aty ka filluar drita dhe është larguar errësira”, ka deklaruar Limaj.
Ndërsa kandidati për deputet prej Nismës Socialdemokrate nga ky vend, Agim Krasniqi, ka thënë se ata kanë një program shumë të mirë qeverisës dhe atë janë duke e shpalosur para qytetarëve të saj çdo ditë.
“Jemi në proces të fuqishëm të zbatimit të projektit që na çon në fitore. Tani në ditët e fundit do të bëjmë maksimalen për bashkëngjitjen e qytetarëve për mbështetjen e partisë dhe kandidatët e kësaj ane në zgjedhjet e 14 shkurtit. Do të ishte momenti më i ndjeshëm që Nisma Socialdemokrate të shënonte fitoren më 14 shkurt, me rastin e ditëlindjes sime”, ka deklaruar Krasniqi.
Si dhe në tubimet e tjera, as kësaj radhe nuk u respektuan masat anti-Covid.