30 vjet pas referendumit të 1991-tës për pavarësi, 14 shkurti i 2021-tës po konsiderohet si referendum për shtet demokratik nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti. Në takimin që pati me qytetarë të Kamenicës në kuadër të fushatës zgjedhore, Kurti u shpreh se kjo do të jetë ngjarja më e madhe pas çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.
“Referendum i entuziazmit të tretë, pas çlirimit të ‘99-s dhe pavarësisë së 2008-s, referendum për drejtësi dhe punësim. Referendum për shtet demokratik i cili i bën bashkë zhvillimin ekonomik, i bën bashkë edukimin profesional, e bën bashkë sundimin e ligjit, dhe në këtë mënyrë e zëvendëson emigrimin jashtë vendit të të rinjve me përparimin e tyre në këtë vend", ka thënë Kurti.
Në Kamenicë ai theksoi se Vetëvendosjes i duhet fitore me mbi 61 deputetë, prandaj i ftoi qytetarët që të dalin masivisht në zgjedhje, duke marrë shembull diasporën. Bashkë me Kurtin në Kamenicë ishin edhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, dhe kandidati për deputet, Glauk Konjufca. Osmani tha se ka marrë mbështetje çdo herë nga Kamenica dhe se njëjtë pret të përkrahet lista e saj dhe e Vetëvendosjes edhe në ditën e zgjedhjeve. Ndërsa Konjufca në këtë tubim u shpreh i lumtur që ishte përkrah presidentes dhe, siç tha ai, kryeministrit. Aty Konjufca premtoi ndryshim të Kosovës pas zgjedhjeve, në disa fusha. “Më 14 shkurt do të fitojë Kosova më së pari. Ndryshimet e mëdha do të vijnë në drejtësi, në ekonomi, në arsim dhe në shëndetësi”, ka deklaruar Konjufca.
Masat anti-COVID nuk u respektuan në Kamenicë e as në Viti, ku Kurti e Osmani shkuan më pas. Para vitiasve Osmani tha se fitorja e saj dhe e Albin Kurtit do t’i sjellë perspektivë Kosovës dhe do ta ndalë korrupsionin.
“Duke rrumbullakuar numrin 127, ju i thoni jo plaçkitjes, i thoni po perspektivës për vetveten dhe fëmijët tuaj”, ka deklaruar Osmani.
Kurti ka thënë se një ndër prioritet e Qeverisë së tij është edhe zhvillimi ekonomik, sidomos me punësim.
“Ne do t’i ndihmojmë të gjitha shtresat e shoqërisë, do t’i ndihmojmë edhe pleqtë, edhe fëmijët, edhe të rinjtë, edhe gratë. Po ashtu ndërmarrësit dhe studentët në mënyrë që vendin tonë të dashur ta bëjmë edhe të jetueshëm, e mos të kemi nevojë të migrojmë jashtë vendit, por të jetojmë këtu, me nder, me ligj dhe me punën tonë”, ka thënë ai.
Mes të tjerash, në këtë tubim u dëgjuan edhe thirrje të qytetarëve “Me hajna nuk ka shtet”, parullë kjo që Vetëvendosje e ka përdorur shumë herë në protestat e saj. Këtyre thirrjeve Kurti ua dha një zotim që nuk është fare në kompetencë të Qeverisë, por në kompetencë të organeve të drejtësisë.
“Jo vetëm që me hajna nuk ka shtet, por edhe do ta konfiskojmë pasurinë e pajustifikueshme”, ka thënë Kurti.
Në programin e tij qeverisës, në kuadër të luftës ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, Kurti ka theksuar se duhet të shtohen kapacitetet njerëzore dhe profesionale në Gjykatën Themelore në Prishtine dhe në atë të Apelit, gjë që do të mundësohet përmes mbështetjes financiare.
“Po ashtu, do të shtohen kapacitetet njerëzore dhe profesionale edhe në departamentet për krim të organizuar, korrupsion dhe krime financiare në kuadër të Prokurorisë Speciale, duke pasur parasysh përkushtimin tonë për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet, ndër të tjera, në programin qeverisës të Vetëvendosjes.
Vetëvendosje ka premtuar edhe Vetting në drejtësi gjatë mandatit katërvjeçar që synon ta fitojë përmes zgjedhjeve të parakohshme.
Në kuadër të fushatës zgjedhore, gjatë së premtes Kurti ka zhvilluar takime me qytetarë edhe në disa fshatra të Lipjanit.